Australia përfshihet nga flakët

18/10/2013 04:30

Zjarrfikësit kanë luftuar me flakët e fuqishme të zjarreve që kanë shpërthyer në New South Wales të Australisë, në orët e para të së premtes.

Shumë shkurre janë djegur në “Blue Mountains”, një zonë e Trashëgimisë Botërore në perëndim të Sidneit, duke ngritur shtëllunga të dendura tymi në ajër.

Zjarrfikësit janë përpjekur të shuajnë 98 zjarre anembanë New South Wales, duke nisur nga orët e vona të së enjtes, sipas Shpërbimit shtetëror Rural të Zjarreve.

Më herët gjatë së enjtes, shërbimi i zjarrfikësve publikoi në Twitter faktin që 34 zona zjarri ishin ende jashtë kontrollit. Më shumë se 100 zjarrfikës janë dërguar për të shuar zjarret në Heatherbrae, ku një zjarr ka shkatërruar deri më tani 3500 hektarë, bënë të ditur zyrtarë të shërbimit.

Kryeministri i New South Wales, Barry O’Farrell, paralajmëroi në një konferencë për shtyp gjatë së enjtes, se qindra shtëpi mund të shkatërrohen deri sa kriza të marrë fund. Ai u thuri lavde përpjekjeve të ekipeve të emergjencave, që janë përgjigjur duke luftuar me flakët.

“Kushtet e sotme të motit, i nxehti e thatësia por dhe erërat, kanë kontribuuar në vështirësitë e hasura prej zjarrfikësve dhe komunitetet në rajonet e prekura”, tha ai. “Këto vështirës, gjatë kësaj dite shkatërrimtare dhe të rrezikshme, si dhe këto kushte moti nuk priten të përfundojnë së shpejti”, shtoi ai. “Moti do të ndryshojë, por do të duhen disa ditë për të parë fundin e këtyre flakëve. Dyshoj se, nëse ia dalim përmes këtyre vështirësive pa humbur jetë njerëzish, do të duhet të falënderojmë Zotin për mrekullitë”.

Pamjet televizive nga “Seven Network” shfaqin flakë të shumta që kanë përfshirë edhe shtëpitë.

Shërbimi Rural i Zjarreve në New South Wales ka lëshuar paralajmërime emergjence për situatat më të rrezikshme. Ato përfshijnë zjarrin në State Mine, që po lëviz nga Lithgow drejt Bilpin, në “Blue Mountains”, që ka djegur mbi 20 mijë hektarë shkurre, bëjnë të ditur zjarrfikësit.

Një tjetër vatër zjarri që kërcënon shtëpitë ndodhet në zonën “Springwood”, sërish në “Blue Mountains”.

Top Channel