Shuhet piloti Sean Edwards

17/10/2013 00:00

Është shuar në moshën 26-vjeçare Sean Edwards, piloti britanik i automobilizmit, aktualisht lider i kampionatit Porsche Supercup.

Ndoshta emri i tij nuk thotë shumë, por në të vërtetë në botën e motorëve ai ishte një yll. Ishte një pilot i mirë dhe kishte marrë pjesë edhe në gara të rëndësishme si 24-Orëshi i La Manshit.

Sean ndodhej në Australi në rolin e instruktorit dhe po merrte pjesë në një kurs azhornimi për pilotët e rinj. Ai ishte pasagjer në makinën e drejtuar nga një 20-vjeçar. I riu ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një mur gomash. Makina ka marrë flakë dhe piloti ka mbetur i plagosur, ndërsa për Sean është verifikuar tragjedia.

Sean ishte i famshëm edhe për diçka tjetër. Babai i tij ishte Guy Edwards, që për një kohë të shkurtër ishte pilot i Formula 1 dhe që hyri në histori pasi i shpëtoi jetën pilotit Niki Lauda në vitin 1976, në incidentin e tmerrshëm ku “Ferrari” i austriakut mori flakë dhe ai u plagos.

Incidenti ku babai i Sean u bë hero tregohet edhe në filmin e Ron Howard, “Rush”, që po transmetohet në sallat e kinemasë. Filmi bazohet në rivalitetin mes Lauda dhe James Hunt dhe shmangia e tragjedisë në momentin kulmor të historisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA