Qeveria kosovare ka vendosur që të mos lejojë të hyjë në Kosovë
ministrin serb për Kosovën, Aleksandar Vulin, për shkak të shkeljes së
autorizimeve që i janë përcaktuar nga autoritetet kosovare.

“Vulin e kishte paraqitur kërkesën e tij pranë zyrës së BE-së dhe ajo na e përcolli neve. Ne i kthyem përgjigje negative, për shkak se më 14 tetor ai ka marrë pjesë në një fushatë parazgjedhore”, ka thënë për “REL”, Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës.

Ndërkohë, mediat serbe njoftojnë se megjithatë Vulin ka arritur të hyjë në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Jarinë, njoftime këto që hidhen poshtë nga zyrtarët kosovarë.

Besim Hoti, zëvendëskomandant i policisë në veri të vendit, ka bërë të ditur se zoti Vulin nuk ka hyrë në territorin kosovar. “Zorana Mihajlloviç ka hyrë në Kosovë, kurse Vulin jo. Zonjën Mihajlloviç aktualisht po e shoqëron policia”, ka saktësuar Hoti.

Ministri Vulin kishte planifikuar që të vizitonte të enjten Kosovën bashkë me ministren e Energjetikës, Zorana Mihajlloviç. Por vetëm kësaj të fundit i është lejuar hyrja në shtetin që nuk njihet nga Serbia.

Ndërkohë, në fundjavë Kosovën mund ta vizitojë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili më herët gjatë muajit kërcënoi me ndërprerjen e bisedimeve të brukselit pasi Prishtina zyrtare i ndaloi hyrjen. Përplasja u zgjidh në raundin e radhës të dialogut të ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton. 

Top Channel