Në Prishtinë vazhdon gara për kryetar komune. Premtimi i radhës, që bën kandidati i PDK-së, Agim Çeku, është një sallë multifunksionale, në të cilën do të organizohen të gjitha panairet që promovojnë bizneset.
Kjo u tha në takimin, që Çeku pati me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit.
Ndërkohë, po në Prishtinë, kandidati i LDK-së, Isa Mustafa, takoi të rinjtë e këtij subjekti. Sipas tij, pavarësisht problemeve, që kanë përcjellë këto gjenerata të reja, u shpreh mjaft optimist për rininë e LDK-së, duke i konsideruar në të ardhmen si liderë të fortë, jo vetëm në LDK, por edhe në institucione të tjera shtetërore.
Ndërsa kandidati për kryetar të Prishtinës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në kuadër të fushatës, i prezantoi planin për zhvillimin ekonomik të Prishtinës kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliut.
Në planin e tij zhvillimor, Tahiri u fokusua në mbështetjen e sektorit të vogël e të mesëm, duke konsideruar të domosdoshëm dialogun e mirëfilltë mes komunës dhe Odës Ekonomike.
Top Channel