Rezultatet e fundit negative të kuqezinjve gjatë eliminatoreve të vlefshme për botërorin Brazil 2014 kanë bërë që Shqipëria të humbasë 13 pozicione në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, duke zbritur në vendin e 58.
Renditja vazhdon të kryesohet nga kampionët e Europës dhe të Botës në fuqi, Spanja, me 202 pikë avantazh ndaj Gjermanisë, që është ngjitur këtë muaj në vendin e dytë, duke i rrëmbyer vendin amerikano-jugorëve të Argjentinës.
Në “Top 10” bëjnë pjesë edhe Kolumbia, Belgjika, Uruguaji, Zvicra, Holanda, Italia e Anglia. Vlen për t’u theksuar ngjitja e fuqishme e helvetëve, të cilët ishin kundërshtar me kuqezinjtë e De Biasi-t në eliminatore, me plot 7 vende, ashtu si dhe “3 luanët” e Roy Hodgson.
Me 4 pozicione ka rënë Italia, duke mbetur përfundimisht jashtë “kokave të grupit” për shortin e kampionatit botëror, që do të hidhet në javën e parë të dhjetorit, pikërisht në datën 6.
Brazili zbret me 3 vende, në të 13-tin, ndërsa ekipe si Portugalia e Franca mbajnë respektivisht vendet 14 dhe 21. Ngjitjet më të mëdha i kanë bërë Serbia, Skocia e Armenia, ndërkohë që rënien më të fortë e ka pësuar Mali i Zi, e cila ndiqet më pas nga Hungaria e Shqipëria për nga numri i vendeve të humbura.
Top Channel