Çështja e 15-vjeçares kosovare, Leonarda Dibrani, vazhdon të trondisë Francën. Ajo u arrestua gjatë një ekskursioni dhe u dërgua në Kosovë bashkë me familjen e saj, më 9 tetor.

“Këtu unë nuk flas gjuhën, nuk e kuptoj dhe kam frikë se të tjerët do të qeshin me mua. Shtëpia ime nuk është këtu, është në Francë, sepse Franca është gjithçka që kam, të gjithë miqtë e mi, i dashuri im, mësuesit, shkolla ime, e ardhmja ime, çdo gjë është në Francë. Po këtu jo, këtu nuk kam asgjë. Nuk e di pse ndodhem në Kosovë”, tha Leonarda Dibrani.

Ajo i bëri thirrje presidentit francez, Fransua Holond, që të mundësojë kthimin e saj në Francë.

“Presidentit Holond, unë dua t’i them se kam shpërndarë fletëpalosje në çdo derë, që të votohej për të. Nuk e di pse zoti Holond na dërgoi në Kosovë. Dua t’i them të na kthejë në Francë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse nuk dua të humb shkollën”, shtoi Leonarda.

Të paktën 6 mijë nxënës francezë zbritën në sheshin e Parisit, siç raporton edhe sindikata e gjimnazeve të Francës, duke kërkuar kthimin në Francë të Leonardës, e cila prej 4 vjetësh studionte në Francë.

Dhjetra shkolla në të gjithë vendin u shndërruan në vend protestash dhe në disa prej tyre u ndalua të zhvillohej mësim.

Përveç kthimit të 15-vjeçares, nxënësit kërkojnë kthimin në Francë edhe të armenit Katcik Kacatrian, një 19-vjeçar i dëbuar të shtunën, i cili kishte jetuar në Francë prej vitit 2011.

Ministri i Brendshëm, Manuel Vals, është në shënjestër të kritikave, sepse mori në mbrojtje veprimin e forcave të rendit për të arrestuar Leonardën në sy të miqve të saj. Disa prej kolegëve të partisë së tij, asaj socialiste, kanë kërkuar dorëheqjen e tij.

Leonarda dhe familja e saj hynë në Francë në mënyrë të paligjshme, më 26 janar të vitit 2009. Menjëherë sapo arritën, paraqitën një kërkesë për azil, që u shty disa herë gjatë këtyre viteve.

Në mars të 2013, situata e familjes Dibrani nuk ishte në përputhje me kriteret e qarkores “Vals” të nëntorit 2012, për lejet e qëndrimit, dhe pikërisht për këtë u zbatua debimin i tyre.

Top Channel