Karriera e Buffonit mund të kishte qenë shumë më e ndryshme, nëse dashuria e tij ndaj fanelës bardhezi nuk do të kishte qenë e njëjta.
Në një intervistë të gjatë për “Mediaset”, 35-vjeçari u ndal në momentet kyçe të historisë së tij si futbollist, që kur babai zgjodhi Parmën në vend të Milanit për të birin adoleshent, tek refuzimi i ofertës së Barcelonës e disa propozimeve të tjera ndër vite, sezoni me Juventusin në Serinë B e deri tek ajo që i ka mbetur për të realizuar në vitet që i mbeten në futbollin e luajtur.
Parma dhe jo Milani – “Ishte babai që zgjodhi, duke menduar se tek një ekip si Parma do ta kisha më të lehtë të afirmohesha. Mendoj se tregoi shumë largpamësi, duke vendosur që të më çonte në këtë ekip për të mirën time, e jo tek Milani, që do t’i jepte mundësinë të gjithëve të mburrej para shokëve se i biri luante në një ekip të madh. E vetmja gjë që më ka mbetur peng në ato vite ishte që nuk arrita të fitoja titullin me Parmën”.
Oferta e Barcelonës – “Pas Parmës, në vitin 2001 mund të shkoja tek Barcelona. Megjithatë, ishte përsëri babai ai që më këshilloi Juventusin dhe i jam shumë mirënjohës, pasi në këtë ekip kam njohur gëzime të pakrahasueshme”, deklaroi Buffon.
Përjetë Juventus – Pasi refuzoi disa oferta, jo vetëm atë të Barcelonës, por edhe të Interit, Milanit e një miliarderi rus që nuk dëshiron ta identifikojë, portieri veteran beson se do të varë këpucët në gozhdë tek Juventusi. “Shpresoj të jem ende në gjendje që të luaj edhe disa vite, e pse jo të realizoj ëndrrën e madhe, atë të një Champions me këtë klub, por do të vazhdoj të luaj deri kur të ndiej që jam ende në gjendje për të dhënë më të mirën, jo më gjatë”, thotë kampioni i botës me Italinë, në vitin 2006.
E tashmja – E tanishmja e Buffon është Fiorentina, rivali i Juventusit në ndeshjen e ditës së shtunë, por sytë e tifozëve do të jenë nga kryendeshja e kësaj jave, midis Romës kryesuese dhe Napolit, që ndan vendin e dytë me torinezët. “Roma është duke i befasuar të gjithë dhe e meriton plotësisht atë pozicion në renditje. Napoli është një skuadër për t’u respektuar, pasi ka fituar tashmë vetëdijen e një ekipi të madh. Ndërsa ne, ndonëse për momentin dëgjojmë pak komente entuziaste, kemi bërë një seri prej shtatë fitoresh dhe tre barazimesh në dhjetë ndeshje, numrat flasin qartë”.
Buffon dhe e ardhmja – Të mërkurën e ardhshme, Juventusi do të luajë në “Santiago Bernabeu”. “Thonë që Reali nuk është duke përjetuar një moment të mirë, por e vërteta është që me futbollistet që kanë, mjafton shumë pak për të bërë të ndryshohet mendim. Nuk e uroj sepse nuk do të ishte sportive, por shpresoj që ndaj nesh të mos kenë rikuperuar ende formën e tyre më të mirë. Një fitore ndaj Realit do të na jepte shumë autostimë, kemi nevojë të ndërtojmë një trajektore fituese në Europë, por nuk mendoj se kjo ndeshje do të jetë vendimtare”.
Top Channel