Rinovon Gianni De Biasi

16/10/2013 00:00

Mbyllja aspak e kënaqshme e këtyre eleminatoreve ku Shqipëria mbeti sërish në vendin e pestë nuk e ka penguar Gianni de Biasi-n të rinovojë kontratën me FSHF-në si trajneri i kuqezinjve edhe në eleminatoret e “Euro 2016”.  Por, jo me 1 milion euro.

Tekniku 57-vjeçar ka nxjerrë si justifikim presionin e madh për rënien e kombëtares në këto 5 ndeshjet e fundit: “Do të firmos të mërkurën pasdite ose të enjten. Numrat janë ato që thonë gjithmonë të vërtetën. Në 5 ndeshjet e para morëm 9 pike, shënuam 6 gola dhe pësuam 5, ndërsa në 5 ndeshjet e fundit morëm 2 pikë, shënuam 3 dhe pësuam 6. Fakti kryesor është që ekipi ynë ra viktimë e një përgjegjësie shumë të madhe dhe tregoi që nuk është akoma gati për një objektiv kaq të rëndësishëm. Përsa më përket mua, mendoj se i kemi bërë gjërat ashtu siç duhet.”

Ëndrra braziliane që zgjati pak muaj duket se na ka bërë të gjithëve më kërkues përsa i përket eleminatoreve të ardhshme. Por trajneri italian thekson se në kontratën e re nuk ka asnjë kusht të tillë.

“Nuk ekziston asnjë klauzolë e tillë, por është dëshira e madhe e imja dhe e presidentit Duka që ta shohim sa më shpejt këtë skuadër në një kompeticion të madh. Objektivi më i rëndësishëm është të ndërtojmë një skuadër sa më të fortë. Unë nuk jam fitues, por i arrij objektivat që më vendosin klubet apo federatat. Nuk e kam fituar Ligën e Kampioneve, nuk e kam fituar Serinë A, por nuk e kam patur makinën për ta fituar. Ndryshimi i eleminatoreve të ardhshme me ato që kaluam është se unë tashmë e kam krijuar ekipin në kokën time”, deklaroi De Biasi.
 
Në fund, De Biasi ka hedhur poshtë zërat e përhapur në media se kontrata e tij e re do të kalojë shifrën e 1 milion eurove, ndërkohë që ka pranuar se shumë shpejt FSHF-ja do të kërkojë të bëjë një takim me talentin e Manchester United, Adnan Januzaj, për të zbuluar mendimet rreth kombëtares shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA