Konservatorët e Gjermanisë dhe rivalët e tyre kryesorë të së majtës pritet të mbajnë raundin e tretë të bisedimeve gjatë fundit të kësaj jave, për të formuar një qeveri koalicioni.
Bisedimet vijnë pas diskutimeve të gjata paraprake mes kristian-demokratëve (CDU) të Kancelares Angela Merkel dhe social-demokratëve (SPD). CDU humbi vetëm për pak vota shumicën e drejtpërdrejtë gjatë zgjedhjeve të muajit të kaluar, kur partnerët e tyre liberalë nuk mundën të fitonin asnjë vend në Bundestagun gjerman.
Merkel pritet të shpallë një koalicion partnerësh brenda pak ditësh. Ajo u takua me Partinë e Gjelbër në raundin e dytë të bisedimeve gjatë së martës, por të gjelbrit dolën në konkluzionin se nuk kishin një terren të mjaftueshëm të përbashkët për të konsideruar formimin e një koalicioni.
Tashmë, Kancelarja do të fokusohet te bisedimet me SPD-në, që shihet si partneri i ri më i mundshëm, pavarësisht diferencave të theksuara mes tyre.
Raundi i ardhshëm i negociatave paraprake mes dy partive mund të mbahet të enjten, por njoftimi zyrtar ka dalë më herët për shkak të ngecjes së bisedimeve me të gjelbrit.
Në bisedime do të marrin pjesë gjithashtu edhe anëtarë të aleatëve bavarezë të Merkelit, Bashkimi Kristiano-Social (CSU). Nëse CDU vendos të zgjedhë SPD-në si partnerin e preferuar, delegatët e partisë së majtë do të takohen për të vendosur nëse do të pranojnë negociatat zyrtare për koalicion.
Çështjet kryesore kanë të bëjnë me taksat dhe propozimi i një page minimale kombëtare. Diskutimet formale pritet të vazhdojnë për javë të tëra.
SPD, që nuk ka mundur të fitojë zgjedhjet që prej vitit 2002, i ka premtuar anëtarëve të saj të drejtën e votës në lidhje me një marrëveshje përfundimtare për koalicion.
CDU-ja, partneri i kaluar në koalicion, apo demokratët e lirë, dështuan me shumë pak vota për të kaluar pragun prej 5%, që do t’i fuste ata në parlament në zgjedhjet e 22 shtatorit.
CDU mori rreth 41,5% të votave, SPD-ja 26%, Të Gjelbrit 8,4% dhe Partia e Majtë (ish-komunistët) 8,6%.
Nëse një koalicion i madh do të krijohet mes dy partive kryesore, si ai që udhëhoqi Merkel prej vitit 2005, koalicioni do të përballet me detyra të vështira si: ribalancimi i ekonomisë më të madhe të eurozonës dhe fitimi i mbështetjes së publikut gjerman, për të trajtuar borxhin e eurozonës apo problemet bankare.
Top Channel