Filipine, shkojnë 99 viktimat nga tërmeti

16/10/2013 05:00

Një tërmet i magnitudës 7,1 goditi pjesën qendrore të Filipineve gjatë së martës, duke lënë të paktën 99 viktima dhe 276 të tjerë të plagosur, pjesa më e madhe e të cilëve njerëz, të cilët ishin duke festuar një festë fetare.

Tërmeti, i cili goditi orët e mëngjesit të së martës, shkatërroi disa ndërtesa dhe detyroi njerëzit e mbërthyer nga paniku të zbrisnin rrugëve, bëjnë të ditur dëshmitarë.

90 të vdekur dhe 166 të plagosur janë shënuar vetëm në provincën Bohol. Të paktën 9 kanë vdekur në provincën Cebu, ndërsa 1 person ndërroi jetë në provincën Siquijor, raporton agjencia filipinase e lajmeve, duke cituar Këshillin Kombëtare për Drejtimin dhe Reduktimin e Rreziqeve Natyrore.

Pjesa më e madhe e të vrarëve u goditën nga rrënojat në rënie, raporton agjencia, ndërkohë që deri më tani janë prekur rreth 2,9 milionë njerëz nga 560 mijë familje.

Dhjetra persona janë ende të humbur dhe autoritetet po hetojnë raportimet në lidhje me njerëz të mbetur nën rrënoja, sidomos në Cebu dhe Bohol, bën të ditur agjencia.

Rrëshqitje dheu raportohen në Cebu, sipas këshillit të fatkeqësive, që njofton gjithashtu për shkatërrime në terminalin e portit, kullës së aeroportit, portit të peshkimit, tregjet publike, shkolla, kisha, spitale, ura, rrugë, ndërtesa qeveritare dhe rezidenca përreth Bohol-it, Cebu-së dhe zonave të tjera.

Energjia elektrike është rikthyer në pjesët e prekura më shumë nga tërmeti, me përjashtim të provincës Bohol, qytetit Cadiz dhe një pjese të qytetit Iloilo.

Top Channel