Me më shumë se dy të tretat e votave nga 300 ulëse, Parlamenti grek ka vendosur të mërkurën heqjen e imunitetit parlamentar gjashtë deputetëve të partisë pro-naziste Agimi i Artë.

Gjashtë deputetët në fjalë janë Giorgos Germenis, Panayiotis Iliopoulos, Efstathios Boukouras, Ilias Panayotaros, Christos Alexopoulos dhe zëdhënësi i partisë, Ilias Kasidiaris.

Një pjesë e deputetëve në fjalë ndodhen në burg, ndërsa pjesa tjetër nën hetim për aktivitetet kriminale të formacionit politik, raportojnë mediat helene në edicionet online.

Përveç vrasjes së të riut antifashist Pavlos Fissas, autoritetet greke të drejtësisë e akuzojnë Agimin e Artë për dhunën e ushtruar ndaj emigrantëve dhe grekëve, pastrim parash, stërvitje me armë e mjete të forta të anëtarëve të saj, krijimin e brigadave të ndërhyrjes së shpejtë dhe përkushtim ndaj ideologjisë naziste.

Megjithatë, pavarësisht valës së arrestimeve të krerëve dhe anëtarëve të partisë, Chris Avgi në dy sondazhe të publikuara më herët gjatë muajit rezultonte se ruante trendin e mbështetjes nga një pjesë e popullsisë greke mes kuotave 6.9 dhe 7.8 për qind.

Bëhet fjalë për atë bazë popullore, me të cilën në zgjedhjet e vitit të kaluar ajo u bë forca e tretë politike në vend. 18 deri në 20% e të intervistuarve nuk binin dakord me arrestimin e krerëve të kësaj partie dhe mbanin një qëndrim dyshues në lidhje me mënyrën e veprimit të qeverisë.

Në analizën e sondazheve dilte në pah se shkaqet kryesore për rritjen e përkrahësve të Agimit të Artë, kryesisht përgjatë vitit të kaluar, ishin kriza ekonomike dhe mungesa e drejtësisë për politikanët e korruptuar.

Top Channel