Zyrtare, Interi në duart e Thohir

15/10/2013 00:00

Tashmë është zyrtare: indoneziani Erik Thohir do të ketë 70% të aksioneve të klubit italian të Interit. Lajmi është konfirmuar nga vetë Massimo Morati gjatë një interviste në faqen zyrtare të klubit zikaltër.

“Kemi firmosur me Thohirin, por ende nuk e di nëse do të vazhdoj të qëndroj president”, ka theksuar Moratti. Sipas disa mediave italiane, shuma e marrëveshjes kap shifrën e 260 milionë eurove.

Ardhja e Thohir, i cili shndërrohet në aksionerin kryesor të klubit, pritet të sjellë investime të reja tek Interi dhe të forcojë skuadrën me blerje duke filluar ndoshta që nga merkatoja e janarit.

Në këto 18 vite të drejtimit të klubit nga Massimo Morati, skuadra e Interit ka fituar gjithsej 16 trofe, 1 Botëror për Klube FIFA, një Champions League, 5 tituj kampion në Itali, 4 Kupa Italie dhe 4 Superkupa Italie.

Mediat italiane e shikojnë si të vështirë kalimin e plotë të shoqërisë në duart e manjatit indonezian deri më 28 tetor, prandaj sipas tyre mund të lindë nevoja e thirrjes së një asambleje të jashtëzakonshme gjatë muajit nëntor, ku do të bëhet dhe prezantimi i partnerëve të rinj dhe të bordit të ri drejtues, që do të ndahet në pesë vende për grupin indonezian dhe tre për familjen Morati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA