Sly-Schwarzy rrëfejnë karrierën

15/10/2013 00:00

Sylvester Stallone dhe Arnold Schwarzenegger u bashkuan më në fund për filmin “Escape Plan”, që shfaqet në tetor në kinema, por kjo nuk është e para herë që dikush përpiqet të vërë dy yjet e aksionit kundër njëri-tjetrit në ekranin e madh.

“Fakti interesant është se për dekada, disa janë përpjekur të na vënë së bashku në një film por skenarret kanë qenë katastrofë. Nuk mund t’i pranonim ato role”, ka treguar Schwarzy në një intervistë televizive.

“Madje, për një film dëshironin që ne të ishim agjentë sekretë të veshur si gra, ndërsa për një tjetër personazhe që shndërroheshin nga njerëz në kafshë. Ai do të ishte qeni dhe unë macja dhe do të ziheshim me njëri-tjetrin në një komedi. Ishte qesharake”, ka vijuar “Terminator”, përkrah të cilit gjatë intervistës ka qenë Sly.

Ndërsa duke folur për “Escape Plan”, aktori me origjinë austriake ka vlerësuar se ishte projekti më i përshtatshëm, të cilit nuk mund t’i thuhej jo. “Në këtë film, që nga fillimi ishim bashkë dhe ishim dakord. Për më tepër, kemi edhe një skenë dyluftimi”, vijon Schwarzy.

Në këtë film Stallone interpreton një specialist arratisjesh që teston sigurinë e burgjeve të sigurisë së lartë dhe që në një provë bie në kurth. Për të dalë do të bashkojë forcat me një të burgosur, që është Arnold.

Të pyetur nga moderatorja nëse dy aktorët luftojnë edhe në jetën reale, ata janë përgjigjur duke bërë shaka. “Ne jemi të dy shumë të fortë dhe atij i kërcen damari lehtë”, ka thënë Sly. “Jemi të dy tipa kompetitivë, prandaj një dyluftim do të ishte mirë”, ka shtuar Schwarzy.

Top Channel