Lidhja Demokratike e Kosovës akuzon Partinë Demokratike të Kosovës për shkelje të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në një konferencë për media, Vjosa Osmani, zëdhënëse e Shtabit Zgjedhor të LDK-së, tha se kryeministri Thaçi po abuzon me ligjin, duke premtuar miliona në formë investimesh, në mënyrë që të përfitojë vota.
“Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht edhe kryetar i PDK-së, në tubimet elektorale në qytetet e ndryshme, si Gjilani, Mitrovica, Malisheva etj, për të cilat ne kemi dorëzuar provat konkrete në panelin zgjedhor për ankesa dhe parashtesa, ka premtuar miliona euro investime në shkëmbim të votave për PDK-në”, tha Vjosa Osmani, zëdhënëse e Shtabit Zgjedhor, LDK.
Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ndërkohë, e ka vijuar fushatën në Junik, ku ka thënë se vitin e ardhshëm LDK do të ketë shumicën në Kuvend dhe do të formojë qeverinë. Fitorja e sivjetme është fitore e vitit të ardhshëm në zgjedhjet parlamentare.
Ndërsa në Prishtinë, Agim Çeku, kandidat për kryetar nga Partia Demokratike e Kosovës, vizitoi lagjen “Mati” të kryeqytetit.
Sipas Çekut, problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët janë si pasojë e mosangazhimit të Komunës së Prishtinës. Ai premtoi eliminimin e problemeve infrastrukturore në Prishtinë.
Kandidati për kryetar të Prishtinës Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpalosi kontratën për mirëqenie sociale, në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet. Tahiri premtoi së paku një të punësuar për familje.
Ndërsa Shpend Ahmeti, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, u zotua për një sistem më të mirë shëndetësor në kryeqytet, duke e konsideruar gjendjen e tanishme si të mjerueshme.
Fushata për zgjedhjet lokale do të ndërpritet gjatë së martës, për shkak të festimeve të Kurban Bajramit.
Top Channel