
Ky fragment i vjen ndër mend Mirela Mëhillit sa herë që hyn në dhomën e saj të gjumit.
Kjo është shtëpia në Tushemisht të Pogradecit ku u xhirua filmi zonja nga qyteti dhe zonja nga fshati.
Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite dhe vila është rikonstruktuar, pronarët janë munduar ta ruajnë të paprekur identitetin e saj.
Kryeplaku i fshatit, Mihallaq Kabardhi e kujton ende dhe sot arsyen përse u ndërtua kjo vilë dhe përse u përzgjodh për t’u xhiruar një film aty.
“U zgjodh për pozicionin e ujit dhe ka qenë me dritare, ku mund të dilte Ollga nga dritarja”, kujton Mihallaqi.
Është nusja e shtëpisë dhe nuk ka qenë aty kur janë bërë xhirimet, megjithatë kur u fejua të gjithë fqinjët i flisnin për shtëpinë e famshme ku ajo do të kalonte pjesën tjetër të jetës së saj.
“Mua më thanë që burri jot ka shtëpinë e Teto Ollgës… Më erdhi çudi, por pastaj u mësova dhe ndihem krenare kur them kam shtëpine e teto Ollgës”, tregon Mirela, tashmë e zonja e vërtetë e asaj shtëpie.
Gjithçka është aty shtëpia, lokali, pema e mollës e madje edhe disa punime që i ka ruajtur me fanatizëm.
Klea është më e vogla e familjes e ka shumë kuriozitet për shtëpinë ku jeton. “E kam parë me dhjetra herë filmin… ka të bëjë edhe me faktin që kam shtëpinë këtu”.
Sa më shumë e sheh filmin aq më shumë do të dijë për historinë e vilës e një prej fshatrave më të bukur e më të njohur në Shqipëri. Madje ka mësuar thuajse përmendësh çdo batutë të atyre filmave që mesa duket edhe sot e kësaj dite i japin gjallëri njerëzve që banojnë aty.
Shtëpia e karnavaleve të Korçës
Theodhoraq Mano ishte bankieri që dëshironte të kishte një vilë të bukur me arkitekturë të veçantë e në një pozicion strategjik, kështu që zgjodhi të merrte arkitekt italianin Bon Filioli.
Pasi u dënua i biri Theodhoraqit nga sistemi komunist dhe u dënua me vdekje, vila mbeti në pronësi të Tefta Manos, e cila për shkak të biografisë as nuk u martua e as nuk pati fëmijë, por gjithsesi vilën donte ta trashëgonte.
“Shtëpinë kishte dëshirë t’ia dhuronte një mashkulli dhe të kishte emrin e të atit”, kujton Natasha.
Dorian Mano është djali që mori dhuratë shtëpinë dykatëshe e që sot kujdeset me fanatizëm për kët objekt.
“Jam rritur në këtë shtëpi dhe nuk ishte një ndryshim i menjëhershëm”, thotë sot Doriani.
Bashkë me vilën, Doriani trashëgoi edhe historinë e saj e nëse ende nuk e keni kuptuar, këtu para më shumë se 40 vitesh u xhirua filmi Karnavalet e Korçës.
“Vajtën ne disa vila, kjo iu duk e përshtatshme. Ato dy dritaret janë dritaret ku del në ballkon shërbyesja për të kënduar”, tregon Natasha.
Natasha tregon se u miqësua shumë me aktorët, takoheshin për cdo ditë e madje pinin edhe kafenë së bashku. Djali i saj ka qenë ende i vogël atëherë e sa herë sheh filmin në një moment është edhe ai vetë.
“Kam qenë 5 vjeç, na dhanë disa kapela dhe vërtiteshim në shesh për të krijuar një atmosfere të karnavaleve atëherë”.
Është inxhinier elektrik dhe aktualisht po përpiqet të ruajë atë çfarë ka mbetur nga pjesa e brendshme e shtëpisë, për të asgjë nuk është e pamundur.
“Jam përpjekur ta restauroj duke ruajtur traditën”, thotë djali, që sot është bërë burrë po përpiqet të cojë në vend amanetin e zonjës që ia dhuroi.
Rikonstruktimi i vilës shekullore
Kjo vilë është rikonstruktuar për herë të parë në vitet ’20 nga gjyshi i Donika Kadro Ristanit. Sipas saj pjesa më e madhe e materialeve janë marrë nga Bitola në Itali.
Brenda 4 mureve kjo godinë ruan shumë momente të bukura, por edhe të vështira që vajza e shtëpisë përmallohet teksa i kujton historitë që i kanë treguar të parët e saj.
“E shikonim shtëpinë nga larg, por e shihja me bisht të syrit se kishim frikë edhe të kalonim këtej”, kujton Donika ato vite.
Orenditë që kanë mbetur nga mobilimi i shtëpisë së vjetër numërohen me gishtat e dorës prandaj e zonja i ruan si sytë e ballit.
“Kur e moren shtëpinë dhe e futën gjyshin në burg i morën të gjitha. Ka mbetur vetëm një tas kristali, vazo dhe nje portmanto që më kujtojnë të parët”, thotë Donika.
Piktori Koço Ristani është bashkëshorti i Donikës. Ai e mbështet dhe e ndihmon Donikën në ruajtjen e vlerave të çmuara të shtëpisë së vjetër jo vetëm për ta, por edhe për qytetin e Korçës.
“E ndiejmë si detyrim… na duket sikur patjetër duhet të bëjmë diçka për të mos u prishur ajo që ka mbetur dhe për t’u restauruar kjo vlerë”, shprehet zoti Ristani.
Jetojnë në këtë shtëpi që prej vitit 2008, por që nga koha kur vila iu mor familjes Kadro nga sistemi komunist e deri në periudhën kur ata vendosën të banojnë aty kjo vilë është shfrytëzuar për aktivitete të ndryshme.
“Kjo shtëpi ka një histori të dëshpëruar. Në fillim ka qenë kopësht, çerdhe, bilardo, fitness centre e tani është bërë shtëpi banimi”.
Përveç mureve dhe derës së jashtme shtëpisë nuk i mbeti më asgjë. Megjithatë Donika është munduar të gjejë një zgjidhje për të ruajtur sadopak nostalgji në ambientin ku jeton. 2 dhomat e gjumit nuk i ka marrë të reja, por ka ruajtur me shumë kujdes mobiljet e vjerrës që sot janë dhoma e saj. Kurse mobiljet e gjyshes së bashkëshortit i ka vendosur në dhomën e miqve.
“Ngrihem çdo mëngjes dhe them fale Zotit që jetoj në këtë shtepi. Qëllimi kryesor është ta trashëgoj për të ditur origjinën e familjës”, thotë Donika.
Vila ndryshe nga të tjerat në Gjirokastër
E vendosur në qendër të zonës historike në një rrugë tregëtarësh, vila fillimisht Flloko, më pas Zhusti dhe sot Puci përfaqëson një prej banesave më elegante në qytet. Kjo banesë është pjesë e një kompleksi vilash të stilit italian që tregëtarët e njohur të fillim shekullit të XX.
Banesa në memorjen e qytetit vjen e ndërtuar në vitin 1927 prej tregëtarit të njohur të “manifakturës” Grigor Flloko.
Ai vendosi ta ndërtojë vilën në një zonë të populluar të qytetit ku edhe mund të shiste stofëra apo veshje.
Banesa me tri kate dhe me një ballkon të gjerë që hynte si element për herë të parë në arkitekturën e qytetit tërhiqte vëmendjen edhe për shkak të fasadës së saj.
Dritaret e larta të pajisura me grila druri europiane nuk respektuan stilin e njohur otoman të banesave të tjera në qytet.
E gjithë shtëpia ishte beton dhe dru thotë Stefan Arseni mik i familjes dhe njohës i mirë i historikut të qytetit.
Materiali i drurit i gjithi pishë u importua në atë kohë nga Janina dhe u punua nga mjeshtrat vendas sipas projektit të një arkitekti Italian.
Njëra prej dhomave të katit të parë megjithëse sot është shndërruar në guzhinë ende mban emrin “dhoma e manifakturës”.
Këtu tregëtari Flloko magazinonte stofërat që mbërrinin përmes porteve të Sarandës e Vlorës nga Europa dhe Azia.
Kjo hapësirë ishte e veshur e gjitha me hekur dhe kishte gjithashtu portë hekuri për t’u mbrojtur prej zjarrit.
Është e qartë se vlera e mallrave që magazinoheshin këtu ishte disa herë më e lartë se vlera e vetë banesës.
Por, vila u bë e njohur jo vetëm për nga stili original dhe fryma perëndimore që tregëtarët sollën në qytet për periudhën, por edhe për shkak të brezave të artistëve dhe mjekëve që jetuan në këtë banesë.
Periudha e tregëtarit Flloko u pasua nga mjeku i njohur Flloko, babai i aktorit të njohur të kinemasë Timo Flloko.
Edhe vetë aktori ka kaluar një periudhë të fëmijërisë së tij në këtë banesë para se familja të zhvendosej në Vlorë.
Për shumë vite gjatë periudhës së socializmit në këtë banesë jetonte kundrejt qerasë mjeku i njohur radiolog dhe pneumolog Thoma Zhusti.
Banesa mbante perde të rënda të ërrëta të stilit perëndimor për të realizuar mjedisin e duhur për grafitë.
Në shtëpi hynin në atë kohë qindra njerëz për t’u vizituar. Radha për të takuar doktorin thotë pronari aktual i shtëpisë, piktori i njohur Pëllumb Puci dilte 100 m në rrugë.
Doktor Zhusti një tjetër aktor i njohur i kinemasë dhe teatrit nipi i doktor Zhustit jetoi disa vite në të njëjtën banesë dhe më pas familja Puci filloi të interesohej me letra tek pronarët e vertetë Fllokot për ta blerë vilën.
Nuk ishte e lehtë të pronësoje një banesë si kjo, por prindërve ju pëlqeu shumë thotë Pëllumbi.
Sot, vila Puci në lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës i përket një piktori dhe ka ndryshuar formë dhe koncept.
Ajo është rikonstruktuar për të qenë njëherazi banesë dhe galeri arti, por siç thotë Pëllumbi pesha shpirtërore e banesës ka ndikuar pikturën e tij.
Vila e artistëve dhe mjekëve po shndërrohet në studion dhe galerinë e përhershme të një piktori ku të gjithë mund të trokasin, të bisedojnë, të kujtojnë të kaluarën dhe të frymëzohen prej artit….
Top Channel