Subjektet parlamentare të koalicionit qeverisës rrezikojnë formimin e komisionit parlamentar për hetimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës.

“Përderisa kryetari dhe anëtarët e komisionit duhet të marrin shumicën e votave në Kuvend dhe përderisa komisioni duhet të ketë shumicën e anëtarëve të propozuar në të, pa shumicën ai nuk mund të funksionojë. Ne nuk jemi për të hulumtuar dallavretet, kërkoni shpjegime nga ata që e pengojnë formimin e komisionit”, deklaroi Krasniqi.

Këto komente zoti Krasniqi i bëri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar, Adem Grabovci u shfaq kontradiktor në deklaratat e tij për sa i përket kësaj çështjeje.

Ai fillimisht tha se PDK-ja nuk ka marrë qëndrim ende, duke akuzuar opozitën se me zvarritjen e privatizimit të PTK-së ulet edhe çmimi i saj. Më pas, i nxitur nga pyetjet e gazetarëve nëse ky subjekt politik do të dërgojë apo jo anëtarin e vet në komision, Grabovci dha këtë përgjigje.

“PDK-ja dhe partitë e koalicionit qeverisës mund t’i dërgojnë emrat e deputetëve për formimin e këtij komisioni, por nuk është pajtuar që puna e tij deri në nxjerrjen e rezultateve të zgjasë gjashtë muaj”, tha Grabovci.

Dy subjektet politike të cilat kanë inicuar formimin e këtij komisioni, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje, e thonë hapur se dëshirojnë ndërprerjen e procesit të privatizimit.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se krijimi i komisionit, sikurse veprimtaria e tij, do të bëhet siç e kërkon ligji, në një afat prej gjashtë muajsh. Ndërkaq, për shefin e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është e pakuptimtë që procesi të vazhdojë derisa për të do të ngritet një komision parlamentar hetimor.

Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëron mbështetjen edhe të komisionit, por edhe të privatizimit të PTK-së. Seanca e Kuvendit me pikë të parë në rendin e ditës, formimin e komisionit për hetimin e privatizimit të PTK-së mbahet të enjten.

Top Channel