" /> ">
Një gjykatë malajziane rrëzoi një vendim të mëparshëm të 2009-s, i cili lejonte edhe jomuslimanët që t’i drejtoheshin Zotit me emrin “Allah”, në një çështje që ka ngjallur tension prej kohësh në vend.
Çështja e ngritur në apel nga Komunitetit Musliman, besimi që i përket 60% të popullsisë së vendit aziatik, argumentonte se referimi i të Plotfuqishmit me termin “Allah” prej feve të tjera cënonte islamin dhe mund të krijonte trazira civile.
Komuniteti argumentoi se në besime si ai budist, hindu apo besime të tjera politeiste të përhapura në disa zona të largëta të vendit, fjala “Allah” përdoret në shumës, duke iu referuar “shumë Zotave”.
Në tre besimet tradicionale dhe degëzimet e tyre, në myslimanizëm, krishtërim dhe judaizëm, pranimi se Zoti është një dhe i vetëm është një kusht thelbësor.
Megjithatë, të krishterët që përbëjnë 10% të popullsisë, për shkak të ndikimit që ka pasur gjuha arabe dhe islami në vend ndër shekuj, i referohen në masë Zotit si “Allah”.
“Nëse do të ndalohemi të përdorim termin Allah, atëherë duhet të përkthejmë të gjithë biblën nga e para”, deklaroi një e krishterë për “BBC”.
Një anketë e realizuar gjatë 2013-s tregoi se 70% e malajzianëve të krishterë i thonë Zotit “Allah”.
Vendimi i gjykatës në 2009-n, për t’i hequr “eksluzivitetin” e referimit të Zotit me termin Allah muslimanëve, ngjalli protesta të shumta dhe disa objekte kulti u dëmtuan si pasojë e tensioneve ndërfetare që ngjalli vendimi.
Me një popullsi prej pothuajse 29 milionë banorësh, Malajzia ndahet në 60% muslimanë, 20% budistë, 10% të krishterë, 6% hindu dhe 4% besime të tjera.
Top Channel