Sebastian Vettel ishte shumë i lumtur me fitoren e tij të katërt në pesë garat e fundit të zhvilluara në Japoni: “Kjo ishte një fitore që më dhuroi shumë kënaqësi. Suzuka është një pistë fantastike.”
Gjermani i Red Bullit tashmë është shumë pranë titullit kampion. Atij i duhet të përfundojë mes pesë të parëve në garën e radhës që do të zhvillohet në Indi në mënyrë që të shpallet matematikisht kampion i Formulës 1 për herë të katërt radhazi.
“Objektivi i madh është titulli kampion, por sezoni është i gjatë ende. Nuk duhet të mendojmë për kampionatin dhe kjo është mënyra më e mirë për ta arritur atë”, shtoi Vettel, i cili pranoi se nisja e tij në Suzuka nuk ishte e mirë.
“Të them të drejtën, ishte një nisje e tmerrshme. E pashë veten në vendin e tretë dhe u desh që të qëndroja më shumë në pistë para se të hyja në pit-stop-in e parë.”
Kur duhen edhe 4 gara nga përfundimi i sezonit, Vettel ka një avantazh prej 90 pikësh nga Fernando Alonso i vendit të dytë.
Top Channel