EULEX-njofton se po punon për identifikimin e eshtrave të së paku katër personave që besohet se i takojnë kohës së konfliktit në Kosovë. Zbulimi u bë nga një qytetar i cili ishte duke ecur nëpër një fushë në afërsi të fshatit Rastavicë, në Deçan.

Rasti ishte raportuar pasditen e së premtes te Policia e Kosovës dhe Njësia për Hetimin e Krimeve të EULEX-it. Alan Robinson, nga departamenti i mjekësisë ligjore pranë misionit evropian, tha se janë gjetur një numër i konsiderueshëm eshtrash, disa rroba dhe indikacione të tjera të fuqishme se ato i përkisnin periudhës së konfliktit në Kosovë, apo periudhës rreth asaj kohe.

“Ne po i trajtojmë ata si persona potencialisht të zhdukur. Ne e kemi përcaktuar praninë e së paku katër individëve, tre meshkuj të rritur dhe sipas mundësisë, një femër e rritur. Mbetjet kishin qëndruar në sipërfaqe për shumë vite, ndaj disa mungojnë dhe ishin shumë të shpërndara. Faktikisht është e mundur që ky të mos ishte vendi fillestar i vendosjes dhe që këto mbetje ishin sjellë këtu prej një lokacioni tjetër. Ne do të kryejmë analiza të mëtejme mjeko-ligjore në DML dhe shpresojmë që t’i identifikojmë ato në një të ardhme të afërt”, tha Robinson.

Që nga fillimi i misionit EULEX, ekspertët në DML kanë kryer 407 operacione në terren, me qëllim të mbledhjes së të dhënave nga terreni, të cilat kanë mundësi të çojnë në zhvarrosje dhe procese të tjera të ndërlidhura mjeko-ligjore. Prej këtyre, 267 ishin persona të zhdukur, ndërsa pjesa tjetër kishte të bënte me rastet penale apo kërkesat për vërtetimin e identitetit nga ana e familjeve, njofton EULEX.

Top Channel