
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi marrëveshjen me negocim të
drejtpërdrejte mes Qeverisë dhe kompanisë Deloitte për auditimin e
borxhit që shteti ka ndaj bizneseve.
“Kemi zgjedhur një procedurë të negociuar me një kompani pretigjioze auditi, ku kemi rënë dakort për mënyrën se si do të evidentohet borxhi dhe synojmë që në një kohë relativisht të shkurtër, të mund të qartësojmë qoftë pretendimet e ministrive, qoftë pretendimet e biznesit, t’i ballafaqojmë me njëra-tjetrën dhe të kemi një evidencë të saktë”, u shpreh Ervin Mete, zëvendëministër i Financave.
Kompania do te paguhet 85 mijë euro për të evidentuar shifrën e pretendimeve të biznesit ndaj shtetit, pa patur përgjegjësinë për verifikimin tyre në terren.
“Në përfundim të këtij procesi, kjo nuk do të thotë që detyrimisht institucionet e shtetit shqiptar, të cilat pas këtij verifikimi do të vërtetohet vlera e atij borxhi, lidhet me detyrim për ta shlyer atë borxh, sepse do të fillojë një proces verifikimi, nëse dikush ka pretenduar që ka zhvilluar të themi 10 mijë euro vlerë pune, do të bëhet verifikimi nëse vërtet qëndrojnë këto apo jo. Nuk do të ketë një shlyerje automatike të këtij detyrimi”, u shpreh Ilirjan Celibashi, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Verifikimin e shifrës reale të borxhit do ta kryejë sërish Qeveria, më saktë, institucionet publike që kanë nënshkruar kontratat.
“Këto detyrime prezumohet se kanë ardhur si rrjedhojë e mospërmbushjes apo edhe përmbushjes së detyrimeve kontraktore. Duhet parë, duhet verifikuar nëse paga, e cila pretendon borxhin i ka përmbushur dhe ajo detyrimet e veta kontraktore ose jo”, tha Celibashi.
Kryetari Erjon Braçe i kërkoi Qeverisë ta mbyllë procesin brenda afateve të parashikuara në marrëveshje, për të mos rënduar buxhetin me kosto shtesë.
“Do të doja që ju, por edhe ta apeloja përkundrejt biznesit, që sa më parë të jetë e mundur edhe ata të bëhen pjesë e këtij procesi. Të evidentojnë edhe ata pranë Qeverisë, siç thuhet në marrëveshje, apo siç thuhet në projektligj, faturat e tyre të pashlyera në respekt të kontratave të tyre dhe natyrisht t’i japim fund këtij procesi edhe ata për fat të keq e kanë mohuar gjatë katër viteve të fundit, por që është evident tani dhe duhet të zgjidhet”, u shpreh Braçe.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Qeveria shqiptare kanë vlerësuar paraprakisht se shifra e detyrimeve të prapambetura të shtetit ndaj biznesit arrin në 560 milionë euro.
Top Channel