Ish-të burgosurit politik shqiptarë, nga sistemi komunist i ish-Jugosllavisë, kanë paralajmëruar se do ta padisin Maqedoninë në Gjykatën Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Strasburg.
Ata janë të detyruar të kërkojnë drejtësinë në Strasburg, pasi thonë se gjykatat në Shkup nuk po i trajtojnë në mënyrë të barabartë me të burgosurit maqedonas, ndërsa shteti nuk iu ndan dëmshpërblimin që u takon me ligj.
“Kjo është rruga jonë. Ne kemi arritur në këtë moment, i plotësojmë kushtet për të dërguar kërkesë në Strasburg për realizimin e të drejtave tona, në bazë të nenit 6 të konventës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Bazë për gjithë këtë është ligji, i cili është hartuar për maqedonasit”, tha Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish-të burgosurve politik shqiptarë.
Ish-të burgosurit shqiptarë rrëfejnë keqtrajtimet, që u bëjnë në institucionet maqedonase, me qëllim që t’ua vështirësojnë mundësinë për realizimin e të drejtave të tyre.
“Ka ngecje në labirintet e gjyqit, meqenëse gjyqi na përcjell prej njërit te tjetri, prej atij Themelor në atë Administrativ, por edhe kërkojnë të nxjerrim vërtetime, çertifikata në Ministrinë e Politikës Sociale, ku nuk ekziston një komision, i cili duhet ta kryejë këtë punë. Ne i dorëzojmë kërkesat atje, e më pas na kthehen si të parealizuara, sepse nuk ekziston një komision i tillë”, tha Hetem Gavazi, ish-i burgosur politik.
Numri i shqiptarëve nga Maqedonia, të persketuar gjatë kohës së sistemit komunist, shkon mbi 20 mijë.
Top Channel