Banorët e pjesës më të pasur nëntokësore të Kosovës vuajnë nga vafrëria ekstreme. Në Mitrovicë, të kapluar nga gjendja e rëndë ekonomike, pak kush nga banorët zë në gojë çështjet politke apo sigurinë e brishtë në qytetin e tyre ‘problematik’.
Pa dallim, andej dhe këtej Ibrit, mijëra famije vuajnë për kafshatën e bukës çdo ditë. Pak kush nga ta i ka ndjerë investimet milionëshe, që proklamohen nga zyrtarët komunalë.
Familja Çitaku ka kohë që kërkon ndihmë në shërimin e fëmijës 6 vjeç, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë.
Edhe më e ashpër, varfëria duket në veriun e Mitrovicës. Familja prej 9 anëtarësh Rushiti, në fshatin Vidimiriç, nuk ka asnjë të punësuar. Jetesa në këtë fshat piktoresk ka bërë që shumë prej fëmijëve të braktisin edhe shkollën!
Të dëbuar nga shtëpia e tyre në veri, të strehuar në barakat e hekurudhës në jug, familjes Kaçaniku i është shtuar edhe një barrë e rëndë. Shteti, tashmë, si shumë familjeve të tjera, iu mohon marrjen e asistencës sociale!
Teksa këto familje jo rrallë shtrojnë sofrën bosh, zyrtarët në Prishtinë, me ndryshime të ligjit, iu mohojnë të drejtën e ndihmës.
Një mijë e 989 familje mitrovicalie kanë fatin të marrin ndihma prej 60 euro në muaj, ndërkohë mijëra të tjera presin me ankth shqyrtimin e kërkesave, për të rifituar të drejtën e tyre në këtë ndihmë bazike.
Top Channel