Irani refuzon largimin e uraniumit nga vendi

13/10/2013 20:20

Irani nuk do të lejojë që sasira të uraniumit të pasuruar në vend të dërgohen jashtë kufijve, bëri të ditur zv/ministri i Jashtëm, duke refuzuar një kërkesë kyçe të fuqive perëndimore.

Abbas Araqchi është cituar të ketë thënë nga media shtetërore se “dërgimi i materialeve jashtë kufijve është vija jonë e kuqe”. Komentet vijnë përpara bisedimeve të rëndësishme gjatë kësaj jave në Gjenevë, mes Iranit dhe negociatorëve ndërkombëtarë, në lidhje me çështjet e diskutueshme bërthamore.

Bisedimet do të jenë të parat, që prej ardhjes në pushtet të presidentit Hassan Rouhani.

Negociatorët perëndimorë kanë kërkuar që, Irani të përgjysmojë prodhimin dhe ruajtjen e uraniumit të pasuruar deri në 20%, i cili është një kufi shumë pranë arritjes së krijimit të armëve bërthamore, si dhe të dërgojnë disa nga stoqet jashtë kufijve.

Ata kanë kërkuar gjithashtu që Irani të mbyllë vendprodhimin e Fordo-s, pranë Qom-it, ku pjesa më e madhe e pasurimit në gradacione të larta është përmbushur tashmë. Por, Araqchi këmbënguli të dielën se, nuk do të ketë asnjë çështje që ta detyrojë Iranin të heqë dorë nga stoqet e uraniumit të pasuruar.

“Ne nuk do të dorëzohemi, apo të pezullojmë pasurimin e uraniumit në asnjë lloj situate. Nuk do të lejojmë as edhe 1 gram uranium të dalë jashtë territoreve tona”, është cituar të ketë thënë ai nga uebsajti i kanalit televiziv shtetëror të Iranit.

Ai, gjithsesi, tha se Teherani mund të negociojë formën, sasinë dhe nivelet e pasurimit të uraniumit. Komentet e tij duken disi kontradiktore me ato të kreut të parlamentit, Ali Larijani, i cili është raportuar të ketë thënë ndaj disa agjencive perëndimore të lajmeve, se vendi i tij ka një tepricë të uraniumit të pasuruar dhe mund ta përdorë këtë si një mjet ndihmës në bisedimet bërthamore.

Gjithsesi, Parlamenti iranian mohoi më pas deklaratat, duke thënë se pjesë të intervistës së Larijanit me “Associated Press” ishin “false dhe krejtësisht të pasakta”. Perëndimi dyshon se Irani po përpiqet të zhvillojë armët bërthamore, por iranianët ritheksojnë se programi i tyre është tërësisht paqësor.

Top Channel