Indi, rituali hindu, 109 vdesin të shtypur

13/10/2013 00:00

Të paktën 109 pelegrinë humbën jetën mbi urën pranë tempullit hindu në qendër të Indisë, disa të shtypur nga turma, ndërsa të tjerë u mbytën duke u hedhur në lumin Sind. Të paktën 17 prej viktimave ishin fëmijë, ndërsa 133 të tjerë u plagosën.

Frika se ura mund të shembej ngjalli panik në radhët e besimtarëve, që po përpiqeshin të arrinin në tempullin Ratangar, në shtetin e Madia Pradeshit. Një prej të mbijetuarve i tha BBC-së se, në momentin kur ndodhi ngjarja, në urë kishte mijëra pelegrinë. “Dëgjova britma, – tha ai, – dhe pashë njerëzit që po vraponin për të shpëtuar”.

Ka raportime të tjera, që thonë se shkaku i panikut nuk ishte frika e shembjes së urës, por se policët përdorën shkopinjtë e gomës për të kontrolluar marshimin e turmës drejt tempullit hindu.

Ekipet e ndihmës së shpejtë dhe polumbarët vazhdojnë kërkimet në lum, për gjetjen e trupave të tjerë.

Ura e ngushtë, 500 metra e gjatë, ishte rindërtuar së fundmi, pas një tragjedie të ngjashme në vitin 2007. Në vitin 2011, mbi 100 persona humbën jetën gjatë festës hindu, në shtetin jugor të Keralas.

Top Channel