Gratë me kancer të gjirit në Kosovë kërkojnë nga institucionet kushte themelore për ekzaminim e diagnostikim të kësaj sëmundje.
Kështu u tha të shtunën, gjatë aktivitetit “Ecja për shërim” nga organizatorja Nafije Latifi, e cila vuan nga kanceri i gjirit.
“Ne kërkojmë pajisje, barna dhe kurim profesional. Siç e shihni, nuk po i kërkojmë shtetit të pamundurën, por atë të drejtë që na jep ligji për diagnostifik dhe trajtimin e duhur e korrekt”, deklaroi Latifi.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nën patronazhin e së cilës u organizua ky aktivitet, u bëri thirrje qytetarëve për kujdes, e ekzaminime të shpeshta.
“Ju lus të gjithave, nëna, gra, motra dhe vajza, t’i nënshtroheni kontrolleve të rregullta, pasi diagnostifikimi i hershëm do të thotë fitore mbi këtë sëmundje. Me ecjen tonë simbolike ne dëshmojnë kudjes e solidaritet si individë, si shoqëri dhe institicione”, tha Jahjaga.
Në mbështetje të grave me kancer në gji, në “ecjen për shërim” morën pjesë ambasadorë, ministra e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, me iniciativen e grave deputete të Kuvendit të Kosovës, po mblidhen fonde për blerjen e një mamografie të lëvizëshme, e cila do të livizë në secilin qytet të vendit.
Gjatë muajit Tetor, si muaj ndërkombëtar për luftimin e kancerit në gji, në spitalet e vendit dhe në disa nga ordinancat private, po kryhen falas të gjitha shërbimet për trajtimin e kancerit në gji.
Ndërkohë qe qytetarët po marrin iniciativa të ndryshme për mbledhje të fondeve.
“Ecja për shërim”, për të gjashtin vit ka për qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët lidhur me kancerin e gjirit, sëmundje kjo e cila nëse zbulohet me kohë, është e shërueshme në mbi 90% të rasteve.
Top Channel