Vlorë, Rama prezanton prefektin

12/10/2013 00:00

Fundjava e ka gjetur kryeministrin Edi Rama në qytetin e Vlorës, ku ai është zgjedhur deputet. Ndalesa e parë në zyrën e tij elektorale ku është njohur ankesat e shumta të qytetarëve që i drejtohen stafit.

Paçka se është i vetëdijshëm se këto probleme nuk do të mund të zgjidhen brënda ditës, porosia e ktyeministrit për ata që shërbejnë në këtë zyrë ishte e prerë: Përkushtim dhe ndjekje të çdo problemi që vlonjatët do paraqesin në këtë zyrë.
 
“Të ndiqet çdo çështje me përkushtim duke i orientuar njerëzit drejt një zgjidhjeje, duke i kërkuar vetë qytetarëve të mbeten në kontakt me zyrën për t’u informuar sesi do të shkojnë çështjet në vazhdimësi në mënyrë që ne të jemi të informuar për sjelljen e institucioneve ndaj njerëzve, për gadishmërinë për të vënë në vend padrejtësitë dhe të jemi shumë të kujdesshëm që këto padrejtësi të mos bëhen dhe për palën tjetër”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo zyrë nuk do t’i mbivendoset asnjë institucioni, nuk do të jetë zyra që do të kërkojë llogari nga asnjë institucion.

Ndërsa në ceremoninë e prezantimit të Prefektit të ri të Qarkut Vlorë, Kryeministri Edi Rama ka qenë i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, drejtuesit lokalë dhe disa prej deputetëve të mandatuar nga ky qark. Prefekti i sapoemëruar e quajti nder dhe privilegj marrjen e kësaj përgjegjësie: “Së bashku do të punojmë për të realizuar “Rilindjen” në të gjithë komponentët e saj mbështetur në programin e qeverisë. Por, ne këtë natyrisht që do ta bëjmë të gjithë së bashku si ekip, por kemi fatin dhe privilegjin që të kemi mbështetjen e qeverisë, të munguar deri më sot ndaj qarkut të Vlorës, sepse kemi mbështetjen e kryeministrit, deputetit të Vlorës, Edi Ramës.”

Përkushtim ndaj qytetarëve të Vlorës pa asnjë dallim. Kjo ishte ajo çfarë shefi i qeverisë shqiptare kërkoi nga prefekti Dervishi: “Unë jam i bindur që prefekti i ri është në lartësinë e detyrës. Ka një eksperiencë jo të vogël si administrator, ka një eksperiencë të konsiderueshme si përfaqësues i popullit të Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë. Ka edhe një eksperiencë për të mos u nënvlerësuar si vlonjat. Kështu që për të gjitha këto arsye besoj se zgjedhja e bërë nga ministri i Brendshëm është zgjedhja e duhur.”

Jam i bindur se me mbështetjen tuaj tha kryeministri Rama dhe me harmoni të plotë me interesat e qytetit, me interesat e qytetarëve edhe prefektura do të kthehet në një institucion që në frymën e Kushtetutës dhe në zbatimin rigoroz të ligjit do të mbështesë zhvillimin dhe progresin e  qytetit.

Top Channel