Një varrim dyditor i organizuar nga shteti po zhvillohet në Vietnam, në
nder të gjeneralit Vo Nguyen Giap, komandanti që çoi në mposhtjen e
Francës dhe Shteteve të Bashkuara në luftën e vendit të tij.
Ai vdiq një javë më parë në moshën 102-vjeçare. Qindra mijëra qytetarë janë mbledhur jashtë shtëpisë së tij, në Hanoi, si dhe në barrakat ushtarake që janë të përhapura në mbarë vendin për homazhe.

Ditën e diel, një autokolonë e gjatë do të shoqërojë trupin e gjeneralit të ndjerë për në banesën e fundit. Një fotografi e oficerit dhe një panel që mban medaljet e tij ushtarake janë vendosur mbi arkivolin që është vendosur pranë flamurit kombëtar në një prej sallave të bashkisë së Hanoit. Ushtarë me uniforma të bardha nderuan më herët të ndjerin, sikurse kryeministri Nguyen Tan Dung dhe presidenti Truong Tan Sang.

Familja e gjeneralit Giap, e veshur me të zeza, qëndronte pranë arkivolit, ndërsa re të holla temjani kishin mbushur dhomën ku prehet trupi i tij.

Ditën e premte, flamuri vietnamez jashtë Mauzoleumit Ho Chi Minh në Hanoi ishte ulur në gjysmështizë për të shënuar nisjen e zisë kombëtare.

Korrespondenti i BBC në Azinë jug-lindore, Jonathan Head thotë se vdekja e gjeneralit ka shkaktuar një valë emocionesh në radhët e popullsisë së një vendi ku liria e shprehjes është tejet e kufizuar.

Top Channel