Siçili, 33 viktima të rikuperuar deri tani

12/10/2013 05:00

Janë rikuperuar 33 trupa të pajetë deri më tani, nga ngjarja e dytë e
mbytjes së anijeve në Mesdhe, pranë brigjeve të Siçilisë. Lajmi bëhet i
ditur nga burime pranë ekipeve të kërkim-shpëtimit.

Specifikisht, janë 5 trupa në bordin e anijes “Espero” të marinës ushtarake, 2 në një motovedetë (anije patrullimi) e Rojes bregdetare, 4 në një anije malteze dhe 22 të tjerë në motovedetat e “Guardia di Finanza”.

Incidenti i dytë me klandestinët në brigjet jugore italiane ndodhi gjatë mbrëmjes së ditës së premte, ku fillimisht dyshohej për rreth 50 viktima. Në një komunikatë të marinës së shtetit të Maltës, shpjegohej se mbytja e anijes ndodhi rreth 60 milje në jug të Lampeduzës, ku një avion ushtarak i Valetës ka lokalizuar varkën e mbingarkuar me emigrantë ilegalë.

Ekuipazhi i avionit ka komunikuar se shumë persona përfunduan në ujë dhe menjëherë u nis një varkë shpëtimi për t’iu gjendur pranë të mbijetuarve, që luftojnë ende me vdekjen në det të hapur.

Ndërkohë, kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, tha se ujërat europianë pranë brigjeve të Afrikës janë duke u kthyer në varreza, pas tragjedisë së dytë brenda pak ditëve.

Muscat tha se Malta është ndierë e “braktisur” nga pjesa tjetër e Europës dhe këmbënguli se BE duhet të nisë të veprojë. Malta dhe Italia kanë nisur operacione shpëtimi pas mbytjes së varkës së dytë me emigrantë ilegalë nga Afrika.

Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pasi mbi 300 emigrantë u mbytën javën e kaluar pranë ishullit italian të Siçilisë.

Humbja e jetëve ka rikthyer debatin mes anëtarëve të BE-së mbi rregullat e migracionit. Në incidentin e fundit, mjeti lundrues mbante mbi 200 emigrantë, që besohen se kanë hasur vështirësi në ujërat malteze vetëm pak pas perëndimit të diellit, ditën e premte.

Top Channel