
Rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame është botuar në Fletoren Zyrtare. Në pranverë, botimi i rezolutës u shoqërua me debate në Kuvend për shkak se ky akt nuk ishte dërguar në Fletoren Zyrtare.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, duke vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet vendit tonë dhe Greqisë, si dhe duke konsideruar Konventën Europiane dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, si detyrimisht të zbatueshme nga të dy vendet vlerëson se “është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dyja palët”.
Në këtë kontekst, Rezoluta kërkon që qeveria e Republikës së Shqipërisë të shtojë më tej përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe pasurive të tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura ndërkombëtare.
Gjithashtu, thuhet në Rezolutë, se gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë në aspektin teknik dhe juridik mes qeverive të dy vendeve për çështjen e sekuestros konservative të vendosur si rrjedhojë e Ligjit të Luftës të vitit 1940 mbi pasuritë e popullsisë çame si dhe ngrirjen e ligjit numër 2664 të 3 dhjetorit 1998, do të përbënin një kontribut shumë të rëndësishëm për kapërcimin e problemeve të krijuara prej tyre.
Sakaq, Rezoluta i kërkon qeverisë shqiptare që nëpërmjet grupeve të posaçme të punës, të bashkëpunojë me palën greke dhe të përshpejtojë fillimin e negociatave me qeverinë greke për zgjidhjen e këtij problemi.
Top Channel