
Nis këtë të dielë në ekranin e Top Channel, në vitin e tij të dhjetë, spektakli më i dashur humoristik për shqiptarët: “Portokalli”. Qysh në hapat e tij të parë, kur nisi rrugëtimin në dhjetor të vitit 2004, ky program solli një frymë të re në mënyrën e të bërit humor.
Skenaristi Jani Duri shprehet: “Që në fillim, kur u mblodhëm me ftesën e Dritan Hoxhës për të bërë një spektakël humoristik, vendosëm të sillnim diçka krejt të re dhe kjo pati një sukses të menjëhershëm tek publiku.”
Vit pas viti, publiku është njohur me personazhe të ndryshëm, të cilët me batutat, paroditë dhe lojën e arrirë të aktorëve që u dhanë jetë, kanë mbetur të mbërthyer në kujtesën e shikuesve.
“Kam 7 vite dhe më duket sikur kanë kaluar shumë shpejt. Shkoja tek studiot e dublimeve në atë kohë dhe këto studio ishin shumë afër me vendin ku bëheshin provat e “Portokallisë”. Takoj Elvis Pupën, i cili në atë kohë bënte Avdiun dhe i them me shaka: Hë re, çavo!” Atij i pëlqeu shumë dhe më tha të provohesha. E provova dhe shkoi mirë”, kujton aktorja Albana Perhati.
Cdo sezon ka ngjitur në skenë aktorë të rinj përkrah atyre që publiku i ka ndjekur çdo fundjavë në sallë dhe çdo të dielë mbrëma nga ekrani i televizorit. Surprizat edhe këtë vit, sipas regjisorit Altin Basha, nuk do të mungojnë: “Kemi bërë shumë audicione dhe ndryshime në personazhe. Besoj se publiku do të gjejë një “Portokalli” shumë të ndryshuar dhe shumë të freskët në këtë sezon. Ka personazhe të rinj dhe prova shumë interesante deri eksperimentale në fushën e humorit. Kemi elaboruar me kujdes disa tipare të pseudoartistëve dhe do të kemi aktorë të rinj nga Kosova.”
Një tjetër element i cili ka ndryshuar është edhe skenografia, që këtë radhë vjen edhe më e plotë, me elementë të rinj skenikë. Bujar Kokonozi, drejtor artistik në Top Channel, shpjegon: “Paraqitja e vlerave humoristike, dramaturgjike dhe regjisoriale në këtë sallë do të jenë më evidente pasi të gjithë komponentët do të lëvizin 360 gradë dhe do të nxjerrin më në pah vlerat e kësaj trupe të mrekullueshme.”
Edhe këtë sezon spektakli do të drejtohet nga Salsano Rrapi dhe Eneida Tarifa, ndërsa pjesët e përzgjedhura koreografike nga trupa e baletit në Top Channel do të vazhdojnë të argëtojnë publikun. Produksioni ka punuar sistematikisht për të servirur një spektakël të kompletuar, i cili vit pas viti vazhdon të sjellë të qeshura dhe argëtim.
Top Channel