Një ditë pasi Partia Socialiste prezantoi kandidatin e saj për Bashkinë e Korçës, fushatën për zgjedhjet në këtë qytet e çeli edhe Partia Demokratike.

Takimi është zhvilluar në kinemanë e qytetit prej ku kandidati i kësaj partie, Sotiraq Stratobërdha, ka paraqitur para qytetarëve programin e tij dhe projektet kryesore për qytetin.

Takimin e hapi deputeti i Korçës, Gjergji Papa, ndërsa nga Tirana ishin deputetët Jorida Tabaku dhe Eduard Selami.

“Ju bëj thirrje të përkrahni kurajon civile dhe politike që i duhet politikës shqiptare dhe këtij qyteti”, theksoi Selami.

Gjatë shpalosjes së programit, Stratobërdha ka theksuar se parimi i parë i qeverisjes është barazia e qytetarëve. Ai ka theksuar gjithashtu se Korçës i duhet së pari një plan urbanistik me rregulla të forta për ndërtimet dhe se hapësirat publike do të mbeten  publike dhe nuk do të privatizohen.

“Një pjesë e mirë e kurorës së gjelbër i është kthyer ish-pronarëve, por ende ka pronë publike dhe unë garantoj që brenda këtij dimri ajo pjesë do të pyllëzohet”, theksoi Stratobërdha.

Sotiraq Stratobërdha garon përballë kandidatit të Partisë Socialiste Sotiraq Filo.

Top Channel