F1, Alonso: Objektivi, vendi i dytë në Botëror

12/10/2013 00:00

Fernando Alonso duhet të përfundojë të paktën në vendin e tetë garën e Japonisë në mënyrë që të shmangë festën e Sebastian Vettel për titullin e katërt radhazi, por kjo është gjëja e fundit për të cilën mendon spanjolli i Ferrarit, i teti në provat zyrtare.

“Nëse Vettel nuk e fiton titullin në Japoni, do e fitojë në Indi ose Abu Dhabi. Objektivi im nuk është të përfundoj mes tetë të parëve për t’i shtyrë festën, por të luftoj me Mercedesin për vendin e dytë në kampionatin e pilotëve dhe konstruktorëve”, deklaroi dy herë kampioni i Botës në Formula 1.

Alonso përsëriti se Ferrari nuk është në nivelin e duhur: “Nuk mund të luftojmë për fitoren. Kemi probleme me rendimentin e makinës, probleme që nuk zgjidhen brenda javës. Nuk jam i mërzitur pasi kemi katër vite që jemi 1 sekondë më të ngadaltë se Red Bulli. Si gjithmonë, do të mundohemi të marrim sa më shumë pikë të dielën.”

Gara e Japonisë do të transmetohet direkt në Top Channel, të dielën në orën 8:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB