Ekonomia e dobët, por stabël

12/10/2013 00:00

Në progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, një pjesë të rëndësishme zë pasqyrimi i situatës ekonomike, e cila njeh dobësi megjithë ruajtjen e stabilitetit ekonomik. Kërkohet riekuilibrim në planifikimin buxhetor, që cilësohet i dobët dhe me parashikime optimiste të të ardhurave.

Sipas raportit, ngadalësimi i rritjes ekonomike, rënia e ndjeshme e remitancave, kufizimet financiare, besimi i ulët tek konsumatorët dhe kapaciteti i varfër prodhues frenuan konsumin privat dhe shpenzimet në investime.

“Borxhi publik u rrit nga 59,4 % i Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2011, në 62,9% nga fundi i 2012-s, duke tejkaluar tavanin ligjor prej 60% që u shfuqizua në muajin dhjetor. Në përgjithësi, borxhi relativisht i lartë dhe në rritje i qeverisë dhe prirja afat-shkurtër shkaktojnë shqetësim, pasi përbëjnë një burim cënueshmërie, veçanërisht pas shfuqizimit të tavanit ligjor të borxhit. Akumulimi i borxheve të prapambetura publike pasqyron dobësi serioze në menaxhimin e financave publike.”

Përfshirë rastin e CEZ-Shpërndarje, që pritet të zgjidhet me arbitrazh ndërkombëtar, dështimet në procesin e privatizimeve janë një tjetër problem i pasqyruar.

“Sektori privat mbetet mbizotërues dhe vazhdon të përbëjë 80% të PBB. Procesi i privatizimit pësoi dështime me shitjen e pasuksesshme të Albpetrol, dhe me pjesën e mbetur të aksioneve publike në Albtelekom. Asnjë progres nuk u bë me privatizimin e INSIG.”

Sipas raportit, sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, por shqetësim përbëjnë kreditë e këqia, ndërsa ngadalësimi i fortë i rritjes së kredive cilësohet i dëmshëm për ekonominë.

“Në përgjithësi, megjithë njëfarë progresi në ngritjen e një ekonomie tregu funksionale, Shqipëria duhet të përforcojë financat publike dhe të zvogëlojë nivelin relativisht të lartë të borxhit publik, të forcojë më tej qeverisjen, të rrisë performancën e tregut të punës, të ofrojë mbrojtje për të drejtën e pronës dhe të forcojë shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.”

Shqipëria nuk ka plotësuar ende angazhimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit në fushën e pronësisë intelektuale, ndërsa e drejta e pronës është një tjetër fushë ku nuk është përparuar shumë.

“Në fushën e të drejtës së pronës, një prioritet kyç i Opinionit, është në zbatim një strategji e reformës së pronës, megjithëse është bërë shumë pak progres për zbatimin e objektivave kyçe strategjike të tilla si përfundimi i regjistrimit të pronës, kthimi i pronës, kompensimi dhe legalizimi. Plani i veprimit duhet rishikuar për të siguruar që është realist dhe i qëndrueshëm në drejtim të objektivave dhe burimeve të financimit.”

Në fushën e konkurrencës vlerësohet progresi i kufizuar, njësoj në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural dhe shumë pak progres në fushën e peshkimit. Në fushat e mjedisit, të punësimit, të arsimit, të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë vërehet progres i vogël dhe shumë i vogël në fushën e shkencës dhe kërkimeve. Transporti mbetet një tjetër sektor problematik.

“Progres i pakët është bërë në politikat e transportit. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përputhur legjislacionin vendor me atë evropian dhe për të përforcuar kapacitetet administrative në të gjitha llojet e transportit. Siguria rrugore mbetet një shkak serioz shqetësimi dhe duhet trajtuar urgjentisht. Kapacitetet e mbikqyrjes së sigurisë ajrore janë përmirësuar, por varen ende së tepërmi nga ekspertët e jashtëm.”

Sipas raportit, progres i vogël është shënuar edhe në fushën e energjisë. Në fushën e tatimeve është shënuar progres i kufizuar, ku shqetësim mbetet korrupsioni dhe evazioni fiskal. Për statistikat, vlerësohet ndryshimi i strukturës dhe i ligjit, por kërkohet zbatimi i tij dhe garantimi i pavarësisë dhe besueshmërisë së Institutit të Statistikave.

Përgatiti: Ernest Bunguri

Top Channel