Shqipëri-Zvicër, lirohen hapësirat rreth stadiumit

11/10/2013 00:00

Në prag të ndeshjes me Zvicrën, stadiumi “Qemal Stafa” të paktën në hyrje do të ketë më shumë imazhin e një stadiumi.

Të premten, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka dhënë urdhër për të hapur pjesën e hyrjes së stadiumit, duke çmontuar parkingun, i cili prej mëse dy vitesh bllokonte dhe degradonte akoma më shumë pamjen e hyrjes së “Qemal Stafës”.

Ardian Cani, drejtori i stadiumit, deklaroi: “Rrethimi është hequr pasi unë dërgova një shkresë zyrtare për këtë gjë. Heqja e rrethimit do të ndihmojë imazhin tonë.”

Ndërkohë, duke parë shirat e ditës së sotme na kujtohet ajo përmbytje e fushës së stadiumit tonë në ndeshjen me Islandën, por për ndeshjen me Zvicrën duket të jenë marrë të gjitha masat, duke zëvendësuar një pjesë të tapetit.

“Nuk ka patur shi këto ditë, por ka disa vende të dëmtuara të fushës dhe ne kemi vënë bar të ri në ato vende. Ne do të riparojmë herë pas here fushën pasi këtu luhet edhe kampionati kombëtar, por UEFA nuk lejon të luhen takime ndërkombëtare në stadiume pa standarte. Për këtë arsye, e mira do të ishte të luanim në një impiant tjetër”, shtoi Cani.

Sa i përket formacionit tonë për ndeshjen e sotme, duket se do të kemi disa ndryshime nisur edhe nga rezultatet e dobëta të dy ndeshjeve të fundit me Slloveninë dhe Islandën. Ajo që bie në sy është mungesa e Bashës në mesfushë dhe sulmuesi i vetëm përpara si Salhi, por kjo duket të jetë një tjetër lëvizje e De Biazit i cili thotë se duhet të besojmë e shpresojmë deri në fund.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA