
Flamur Topi ishte personazhi i radhës i ftuar në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’. Doktori i mirënjohur për publikun shqiptar si prezantues i emisionit “Trupi dhe Shëndeti” në TVSH, kujtoi fillimet e karrierës së tij në televizion dhe temat tabu që ka prekur në fillim të viteve ’90.
Emisioni i parë ku flitej për seksin – Në vitin 1992 ishte emisioni i im i parë për seksin. Duhej guxim i madh në atë kohë të flisje për tema të tilla dhe mbaj mend se qysh të nesërmen gazetat nisën kritikat. “Flet për seksin kur nuk kemi ujë dhe sapun për tu larë” shkruanin gazetat. Dukej skandal i madh në atë kohë.
Fillimi – Ka qenë në vitin 1962. Akoma nuk ishin kushtet e duhura dhe emisioni bazohej në dokumentarë të huaj mjekësorë. Flisja për duhanin dhe alkoolin. Edhe për emrin e emisionit u frymëzuam nga titujt e këtyre dokumentarëve. Më pas, nisëm të ftonim mjekë të ndryshëm.
Pse nuk është larguar kurrë nga TVSH-ja – Kam pasur shumë oferta, por i kam qendruar besnik shikuesit tim. Më dukej se po të kaloja në një televizion tjetër do të humbja shumë publik pasi antenat e televizionit shtetëror janë shumë të fuqishme. Mbaj mend që edhe Dritan Hoxha më ka bërë ofertë në festën e 1-vjetorit të Top Albania Radios. Kjo tregon që ka pasur një vizion të madh pasi atëherë nuk ishte krijuar Top Channel dhe Dritani më tha që do i pëlqente që unë të bëja emision në televizionin e tij.
Fillimi i punës në TVSH – Fillimisht nuk më pëlqeu emërimi sepse isha mjek dhe doja një punë si mjek. Deri atëherë isha bashkëpunëtor i jashtëm në TVSH, por emërimi vinte me urdhër dhe nuk mund të kundërshtoje. Gjithsesi, më ka dalë për mirë.
Fëmijëria – Ka qenë sa e lumtur, aq edhe e trishtuar. Shtëpinë e kam pasur në qendër të Tiranës dhe kishim gjithçka pranë: teatër, estradë etj. Babanë e arrestuan pasi e panë duke thyer një monedhë floriri që ia kishte lënë trashëgim gjyshi. Ishte traumë e madhe për familjen time dhe “njolla” na shoqëroi për një kohë të gjatë.
Jeta – Mendoj se në përgjithësi është sjellë mirë me mua. Unë e quaj veten me fat pasi kam pasur shëndet të mirë. Situata të vështira ka pasur, por gjithmonë ka rrugëdalje sipas meje. Rëndësi ka shëndeti.
Besimi – Unë besoj se ka një krijues të madh edhe pse nuk mund të quhem besimtar pasi nuk i kryej ritualet.
Top Channel