Marrëveshja e parë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së re të Shqipërisë do të jetë për ndërtimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike.

Këtë e paralajmëroi ministri për Zhvillim Ekonomik i qeverisë së Kosovës, Fadil Ismajli, gjatë konferencës “Tregu energjetik, Europa Juglindore 2013”,e cila po zhvillon punimet dy ditore në Prishtinë.

“Ne seriozisht e kemi diskutuar këtë çështje dhe unë shpresoj fort, që marrëveshja e parë, që do të nënshkruhet për këtë çështje, është marrëveshja për ndërtimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike, e cila po koincidon me ndërtimin e linjës 400 KË. Janë optimizime tepër serioze, që mund të arrihen duke pasur parasysh komplementaritetin e dy sistemeve”, tha Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Konferenca “Tregu Energjetik, Europa Juglindore” organizohet për herë të dytë në Prishtinë. Këtë herë, risi ishte panairi me kompanitë prestigjioze të sektorit të energjisë, përfaqësuesit e të cilave janë pjesëmarrës në konferencë dhe konsiderohen investitorë potencialë.

Ndërsa vetë qëllimi i organizimit të kësaj konference është forcimi i pozitës së Kosovës në Ballkan, organizatorët shprehen se shteti i ri ka nevojë të dëshmojë se është një vend i sigurt për investime të huaja.

Sa i përket ndërtimit të termocentralit të ri, në projektin e të cilit Kosova ka filluar punën prej tetë vitesh, ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se projekti ka pësuar ndryshime. Sipas tij, shumë shpejt do të mblidhet komiteti qeveritar për të vazhduar më tutje. E rëndësishme është që, siç tha ministri, konsorciumet nuk janë tërhequr nga gara, diçka kjo që do ta kthente gjithë procesin në pikën zero.

Top Channel