
Gjoba ndaj faqeve të internetit për komentet ofenduese të lexuesve dhe vizitorëve anonimë është e justifikuar dhe nuk dhunon lirinë e fjalës dhe shprehjes.
Ky është vendimi i dhënë nga Gjykata e Strasburgut që mbështeti vendimin e një gjykate estoneze që muaj më parë gjobiti në shifra të mëdha njërin prej portaleve më të mëdha në një artikull të të cilit ishin shkruajtur komente të vlerësuara tejet fyese nga gjykata.
Në vendimin e gjykatës estoneze, më pas të mbështetur edhe nga Strasburgu thuhet se “përgjegjësia e komenteve të publikuara në portale bie mbi drejtuesit e faqjes. Drejtuesit janë të vetmit që mund të ndalojnë, apo fshijnë komentet fyese në faqe dhe jo lexuesit apo personat e fyer”.
Strasburgu thotë se janë vetë drejtuesit e faqes ata që kishin përcaktuar rregullat e komunikimit interaktiv duke lejuar përdoruesit të shprehin mendimet e tyre edhe në mënyrë anonime dhe duke marrë mbi vete përgjegjësinë për komentet fyese.
Cështja përfundoi në Strasburg me kërkesë të portalit estonez që kërkonte anulimin e gjobës së majme me argumentimin se kjo shkelte lirinë e fjalës.
Top Channel