Qeveria e Kosovës miratoi heqjen e taksës kufitare për automjetet e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

“Unë kam shqyrtuar kërkesën e lidershipit të shqiptarëve që janë në Preshëve, Medvegjë dhe Bujanovc, për heqjen e taksave për veturat në kufirin e Kosovës. Këtë kompensim do ta bëjë qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave duhet të angazhohet që ta implemnentojë këtë vendim. Prandaj, ju ftoj sot që ta aporovoni atë, në mënyrë që të hyjë në fuqi nga 21 tetori i këtij muaji”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.

Kreu i qeverisë inkurajoi lidershipin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që të vazhdojë dialogun me qeverinë e Beogradit.

“Gjithmonë i kemi përkrahur dhe i mbështesim kërkesat legjitime për afirmimin e të drejtave kombëtare, politike, demokratike të tyre”, theksoi kryeministri.

Gjatë mbledhjes kryeministri Thaçi falënderoi gjithë spektrin politik kosovar për fillimin e një fushate të qetë, korrekte dhe me standarde perëndimore, siç e quajti ai.

“Shpresoj dhe besoj fuqishëm që kësaj radhe edhe në veri do të marrin pjesë edhe pjesëtarët e komunitetit serb, për çka i ftoj që të angazhohen për pjesëmarrje në zgjedhje dhe integrimin e katër komunave në kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, për të ushtruar autoritetin dhe sovranitetin në gjithë territorin e vendit”, tha Thaçi.

Top Channel