Hollande vlerëson Nobelin për Paqen

11/10/2013 00:00

I pari lider që reagoi pas nderimit të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike me Nobelin e Paqes ishte presidenti francez François Hollande. Për shefin e pallatit Elize, vendimi i komitetit norvegjez të çmimit prestigjoz ishte një mesazh i mirëfillte.

“Të gjithë e kuptojnë sinjalin që juria deshi të përcillte duke i akorduar Nobelin e Paqes organizatës që e ka mision të sajin vënien nën kontroll dhe shkatërrimin e armëve kimike”, deklaroi Hollande.

Sipas tij, ky mesazh lidhet me atë që fatkeqësisht është duke ndodhur në Siri dhe rolin e kësaj organizate në asgjesimin e arsenalit kimik të Damaskut. “Ky është një mesazh për këdo që prodhon jo vetëm armë kimike, por edhe bërthamore”, u shpreh presidenti francez.

ONAK, një organizatë relativisht e vogël dhe me një buxhet modest, dërgoi ekspertët e saj në Siri pas sulmit me gaz sarin të 21 gushtit që mori më shumë se 1.400 jetë njerëzish.

Nisma e tyre, e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, shmangu ndërhyrjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Francës në këtë vend. Kjo ishte hera e parë që inspektorëve të saj iu desh të punonin në një territor të përfshirë nga lufta civile.

Për sigurinë e tyre formalisht është përgjegjëse qeveria siriane. Kombet e Bashkuara kanë në Siri edhe një njësi, e cila mbledh informacione për sigurinë, por që nuk është e armatosur. Ajo shërben për të ndihmuar ONAK.

Në hapin e parë do të shkatërrohen fabrikat e armëve dhe makineritë në Siri, të cilat mbushin bombat me substanca toksike. I gjithë arsenali i armëve duhet të shkatërrohet deri në mesin e vitit 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA