Agim Çeku, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Prishtinën, në vazhdën e takimeve “dorë për dore” me qytetarët, vizitoi lagjen “Arbëria”. Mungesa e hapësirave të gjelbra, mungesa e ujit, ashensorë jo funksional ishin disa nga ankesat e qytetarëve që takuan Çekun.

“U takuam me qytetarët, dëgjuam hallet e tyre, pamë shumë gjëra dhe vërtet është e vështirë se përse ende janë në gjendje të tillë, sidomos këto Shkallët e Dragodanit të cilat janë identitet dhe memorie e Prishtinës dhe gjendja në të cilën janë sot, vërtet është e pakuptimtë”, deklaroi zoti Çeku.

Çeku më pas vazhdoi takimet me qytetarë edhe në disa prej kafene të kryeqytetit.

Kryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa të enjtën ishte i pranishëm në tubimin zgjedhor me qytetarët e Obiliqit. Mustafa duke përkrahur kandidatin për kryetar të Obiliqit, Mehmet Krasniqin tha se LDK do të fitojë në nivel lokal, por edhe në atë qendror.

“Ne do të bëjmë një qeverisje për qytetarët. Ne jemi të interesuar që të rrisim dhe të shtojmë besimin e qytetarëve tek pushtetit lokal, të shtojmë besimin e qytetarëve edhe tek pushtetit qendror dhe të fitojmë pushtetin lokal me moton që sot fitojmë Obiliqin, fitojmë komunat dhe nesër të fitojmë edhe në nivel qendror”, tha kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Mehmet Krasniqi u zotua që bashkë me kandidatët për Kuvend Komunal do të realizojnë të gjitha projektet që mundësojnë një jetë të përparuar për qytetarët.

 

Shpend Ahmeti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, për Prishtinë premtoi ndërtimin e çerdheve publike në kryeqytet. Ai tha se do të përdorë hapësira publike ekzistuese për shndërrimin e tyre në çerdhe publike.

“Standardi është 2500, në Prishtinë e kemi një çerdhe për 20 mijë
banorë. Sipërfaqja duhet të jetë mesatarisht 25 metër katrorë për
fëmijë, momentalisht është nën 10 metër katrorë. Nuk mund të jemi
jorealë, s’mund të themi që Komuna ka para mjaftueshëm për të ndërtuar
çerdhe të reja, por ama kemi mundësi që të shfrytëzojmë hapësirat
ekzistuese publike për t’i transformuar pjesë të tyre në çerdhe”, tha
Ahmeti. 

Ahmeti premtoi se brenda 24 muajve të parë të mandatit të tij do të rregulloje problemin e ujit në kryeqytetin kosovar.

Top Channel