Kryetari aktual i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, të premten vazhdoi fushatën për një mandat të tretë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në kryeqytet.

Ai u prit dhe u informua nga drejtuesit e kësaj qendre për sukseset dhe nevojat e fëmijëve. Mustafa premtoi mbështetje, e cila sipas tij, nuk u ka munguar as në katër vitet e fundit.

“Në Prishtinë kemi 8 institucione parashkollore publike dhe dy që janë në partneritet publik-privat. Kemi rreth 2 mijë fëmijë që përkujdesen aktualisht në këto institucione, por do ta rrisim në 3 mijë numrin e tyre. Ndërkohë, do të ndërtojmë institucione të reja në Prishtinën e Re, Matin I, në Kodrën e Trimave, etj, në mënyrë që të krijohen kapacitetet edhe për 1.200 të tjerë”, deklaroi Mustafa.

Mustafa u zotua se gjatë mandatit të ardhshëm do të realizojë hapësira të mjaftueshme për aktivitetet kulturore të fëmijeve.

Ndërkohë, Agim Çeku, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, takoi drejtues të kompanive që kanë për detyrë mirëmbajtjen e kryeqytetit e që janë të kontraktuara nga komuna e Prishtinës.

Kontratat afatshurtër, vonesa e pagesave, mos subvencionimi nga komuna janë disa nga pengesat për këto kompani. Çeku premtoi se në mandatin e tij, do të shqyrtohen me kujdes të veçantë secila nga këto ankesa.

Me problemin e mirëmbajtjes së kryeqytetit, të enjten pasdite u mor edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili doli në përkrahje të kandidatit të AAK-së për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri.

“Në fakt, askush s’po garon për të mundur Mustafën, por njerëzit po punojnë për të krijuar një qeverisje më të mirë, për të fituar betejën me kaosin në qarkullim, për të fituar betejën ndaj mungesës së parkingjeve, për mirëmbajtën e rrokaqiejve ku jetojnë njerëzit, pasi shumica e hyrjeve nuk janë të përshtatshme”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa kandidati BesnikTahiri tha se ka zgjidhje për furnizimin me ujë të qytetarëve të Prishtinës, duke premtuar ndërtimin e një rezervuari të ujit prej 150 mijë litrash.

Top Channel