Bushi: Të shmangim humbjen

11/10/2013 00:00

Në prag të ndeshjes me Zvicrën në “Qemal Stafa”, ndeshja e parafundit e eliminatoreve të “Brazil 2014”, Alban Bushi ka deklaruar se Shqipëria duhet të shmangë humbjen në mënyrë që të mos hedhë poshtë punën e mirë që ka zhvilluar këtë edicion.

“Jemi të qetë. Kjo për ne është ndeshja e radhës dhe duhet të shmangim humbjen për të mos hedhur poshtë punën e bërë deri tani. E rëndësishme është që kemi formuar një ekip të mirë për të ardhmen”, deklaroi ekskluzivisht për Top Channel menaxheri i kombëtares.

Në lidhje me rinovimin e kontratës së trajnerit italian De Biasi, Bushi u shpreh: “Duhet të qëndrojë tek kombëtarja sepse ka krijuar një grup premtues dhe personalisht kam besim se do të qëndrojë.”

Në fund, një thirrje edhe për tifozët e kombëtares: “I bëj thirrje tifozëve të jenë të qetë pasi vetëm kështu mund të na ndihmojnë. Nëse tifozët acarohen, i përçojnë edhe lojtarëve emocione negative dhe arbitri portugez i kësaj ndeshjeje e ka kartonin e lehtë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA