Yellen kandidohet zyrtarisht nga Obama

10/10/2013 01:35

Presidenti amerikan Barack Obama ka kandiduar zyrtarisht zëvendës/kryetaren e Rezervës Federale, Janet Yellen, si kryetaren e ardhshme të Bankës Qendrore amerikane. Ai e quajti atë si një nga ekonomistet dhe politikbërëset më të shquara të kombit.

Zonja Yellen tha se, nëse konfirmohet nga Senati, ajo do të bëjë gjithçka të mundshme “për të promovuar punësimin maksimal, çmime të qëndrueshme dhe një sistem financiar të qëndrueshëm”. Ajo shtoi se duhet bërë më shumë për të forcuar ekonominë amerikane, edhe pse së fundi është bërë shumë progres.

Presidenti lavdëroi aftësinë e Yellen për të fituar gjithnjë konsensus dhe për të dëgjuar pikëpamjet rivale. Ai shtoi se ajo është “e angazhuar për rritjen e punësimit dhe kupton fare mirë kostot njerëzore, kur amerikanët nuk munden të gjejnë një punë”.

Nëse kandidatura do të konfirmohet nga Senati amerikan, 67-vjeçarja Yellen do të zëvendësojë Ben Bernanke, i cili e mbajti këtë post për 8 vjet. Ajo ka qenë zëvendësja e tij gjatë 2 viteve të fundit dhe mund të bëhet femra e parë e vendosur në krye të Rezervës Federale.

Ajo ka dhënë mësim në Universitetin e Harvardit dhe në “London School of Economics”, ndërkohë që ka mbajtur edhe disa poste të larta administrative në SHBA.

Yellen, ashtu si Bernanke, shihet si një “njeri i butë”, duke nënkuptuar se ajo preferon të ketë prioritet rritjen e punësimit duke mbajtur norma të ulta, në vend që të shqetësohet për inflacionin. Kandidatura e saj pritej që kur ish-Sekretari i Thesarit, Larry Summers, u tërhoq muajin e kaluar për shkak të kundërshtimeve nga demokratët liberalë.

Duke qenë se demokratët kontrollojnë Senatin prej 100 vendesh, emërimi i Yellen do të kërkojë vetëm 6 vota nga republikanët që të kalojë çdo pengesë të mundshme proceduriale. Disa konservatorë janë duke shqyrtuar me kujdes pikëpamjet e saj mbi politikat monetare dhe mbështetjen e saj për përpjekjet e kaluara stimuluese të Rezervës Federale.

Top Channel