Të frymëzuar nga “Iron Man” në laboratorët e ushtrisë amerikane ka nisur prej kohësh puna për ndërtimin e kostumit të “super ushtarit”.
Aktualisht në ushtrinë amerikane qarkullojnë disa modele veshjesh luftarake që ndihmojnë ushtarët të transportojnë sasi të mëdha municioni. Projekte të tilla janë ende në fazë testimi dhe po kërkohet një kostum që të ekuilibrojë në maksimum teknologjinë, prakticitetin dhe forcën.
Sipas Kolonelit Karl Borjes, këshilltar shkencor i ushtrisë amerikane, kërkimet janë përqendruar në zhvillimin e një veshje të lehtë për trupin, por të pajisur me mjete hidraulike që të shumëfishojnë forcën e ushtarit.
Ai thotë se ato që në termat ushtarakë amerikanë njihen si “ekzoskeletonë” duhet të jenë të pajisur me vëzhgues të forcës, shëndetit, temperaturës dhe rrahjeve të zemrës, dhe sigurisht të kenë të integruar një armë të fuqishme në të.
Gjithcka është në fazë testuese, ndërsa modeli i syzeve inteligjente të Google, “Google Glass” është marrë si shembull për të zgjeruar fushëpamjen e ushtarit dhe për të përllogaritur mundësitë e suksesit në fushëbetejë.
“Një sistem i avancuar mbrojtjeje, komunikimi, antenat, sensorët, qarqet në miniaturë dhe gjithcka tjetër teknologjike që i vjen në ndihmë ushtarit do të përfshihet në këtë kostum”, thotë koloneli Borjes.
Aktualisht ushtria amerikane ka kërkuar financimin e projektit nga qeveria dhe kompani private të zhvillimit të teknologjisë luftarake me synimin që armatura “TALOS” (Tactical Assault Operator Suit) të jetësohet brenda tre viteve.
Top Channel