Obama fton republikanët në negociata

10/10/2013 00:00

Presidenti Barack Obama ka ftuar kongresmenët republikanë për bisedime
në lidhje me bllokadën qeveritare dhe çështjen e tavanit të borxhit.

Lëvizja e shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen nëntë ditë pasi qeveria amerikane mbylli pjesërisht shërbimet pasi Kongresi nuk arriti të binte dakord mbi buxhetin.

Zoti Obama u ka kërkuar republikanëve ngritjen e kufirit të borxhit dhe rihapjen e sistemeve qeverisëse para se të negociojë politikën e ardhshme fiskale.

Shtetet e Bashkuara rrezikojnë falimentimin nëse kufiri nuk ngrihet brenda datës 17 tetor. Ditën e mërkurë, një zëdhënës i Dhomës së Republikanëve deklaroi se kryetari John Boehnner dhe anëtarë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve do të takohen me presidentin ditën e enjte.

Zoti Obama ka deklaruar se ka vullnet për të biseduar me republikanët për çdo detaj të buxhetit. Por nga ana tjetër ai ka thënë se nuk do të negociojë derisa ata të pranojnë të heqin rreziqet e bllokimit total të qeverisë dhe të katastrofës ekonomike nëse SHBA shkelin kufirin e borxhit deri tek i cili lejohen të marrin hua për të financuar buxhetin dhe për të shlyer detyrimet.

Ditën e hënë Obama deklaroi se republikanët po vinin në praktikë një “zhvatje” duke kërkuar konçesione politike, sidomos ndryshimet në reformën e tij shëndetësore, në këmbim të rihapjes së qeverisë dhe pranimit të rritjes së tavanit të borxhit.

Ndërkohë, Partia Republikane nga ana e saj akuzoi presidentin duke thënë se refuzon të negociojë. Ajo po konsideron një rritje afatshkurtër të tavanit të borxhit, në mënyrë që të zgjidhet ngërçi politik.

Top Channel