Malala fiton çmimin e Lirisë së Mendimit

10/10/2013 15:30

Pakistanezja Malala Yousafzai u shpall fituese e çmimit prestigjioz “Sakharov”, për Lirinë e Mendimit.

Çmimi i akorduar në mënyrë të përvitshme nga Parlamenti Europian iu dorëzua 16-vjeçares, e cila kërkoi me vendosmëri të drejtën e saj për t’u shkolluar, pavarësisht kërcënimeve të talebanëve që pretendojnë se vajzat nuk duhet të shkollohen.

Për shkak të mosbindjes së saj, adoleshentja u qëllua ndërsa ndodhej në një autobuz duke u kthyer nga shkolla për në shtëpi me një plumb në kokë, por kundër të gjitha gjasave arriti të mbijetonte pas disa javësh trajtimi intensiv jashtë vendit.

Së bashku me çmimin, Malalës iu akordua edhe një shpërblim prej 67 mijë dollarësh.

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, e konsideroi 16-vjeçaren si “një avokate kurajoze të edukumit”.

“Rasti i saj na kujton të gjithëve detyrën tonë ndaj fëmijëve dhe në veçanti, detyrën për të luftuar për barazinë midis meshkujve dhe femrave”, shtoi Schulz.

Malala është favorite për të fituar edhe Nobelin e Paqes, fituesi i të cilit do të shpallet ditën e premte.

Nëse do të fitojë, ajo do të shndërrohet në nobelisten më të re të historisë.

Top Channel