Libi, lirohet kryeministri Zeidan

10/10/2013 00:00

Kryeministri libian, Ali Zeidan është liruar disa orë pasi u rrëmbye nga një hotel në Tripoli nga persona të armatosur mëngjesin e së enjtes. Lajmin e bën të ditur BBC.

Rrëmbimi u mor përsipër nga grupi Dhoma e Revolucionarëve të Tripolit, në shenjë proteste ndaj operacionit të komandove amerikanë që pak ditë më parë arrestuan një lider të Al Kaedës në territorin libian.

Sipas mediave ndërkombëtare, veprimi i grupit në fjalë ka ardhur si përgjigje ndaj deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, se qeveria libiane ishte informuar për operacionin.

Thuhet se grupi Dhoma e Revolucionarëve të Tripolit përbëhet nga ish-rebelë, të cilët ishin përdorur nga qeveria post-Gaddafi për të vendosur rendin në kryeqytetin libian.

Fillimisht burime jozyrtare thanë se ai ishte arrestuar nga një njësi e departamentit të anti-krimit, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga prokuroria.

Por lajmi në fjalë u përgënjeshtrua pak më vonë nga Ministria e Drejtësisë, e cila deklaroi se ndaj kryeministrit nuk ishte lëshuar asnjë fletarrest.

Në orët e para të mëngjesit u raportua gjithashtu se kabineti qeveritar ishte thirrur për një mbledhje emergjente nën drejtimin e zëvendëskryeministrit.

Dy vjet pas revoltës që rrëzoi nga pushteti Muammar Gaddafin, qeveria libiane vazhdon të luftojë për të mbajtur nën fre milicitë tribale rivale dhe militantët islamikë, që kontrollojnë një pjesë të vendit.

Ditën e hënë Libia kërkoi shpjegime nga ambasadori amerikan në lidhje me kapjen e liderit të Al Kaedës, Anas al Liby në Tripoli. I dyshuari ishte në kërkim në lidhje me atentatet me bombë në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998.

Muajin e kaluar kryeministri vizitoi Britaninë dhe kërkoi ndihmë për largimin e armëve nga vendi, nga frika e rritjes së kontrabandës së armëve drejt Sirisë.

Top Channel