Presidenti i Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov, ishte në Pogradec, ku takoi përfaqësuesit e minoritetit maqedonas në Shqipëri.

Ai tha se ata duhet të nxisin çdo përparim të vendit, sepse kjo është në interes të integrimit evropian.

Ivanov theksoi se është e rëndësishme që pjesëmarrja e tyre të jetë pozitive, që të jenë qytetarë luajale të Shqipërisë, nxitës të trendeve dhe proceseve pozitive.

Po ashtu, ai nënvizoi domosdoshmërinë e ndryshimit të vetëdijes së komunitetit  shqiptar në Maqedoni, për të kontribuuar për të drejtat e maqedonasve në Shqipëri, sepse ajo inkurajon bashkëpunimin ndërshtetëror dhe i afron të dy shoqëritë.

Ka mundësi për të aplikuar për shumë grante nga Bashkimi Evropian, në lidhje me projektet rajonale dhe fondet që inkurajojnë bashkëpunimin ndërkufitar, nga të cilat do të përfitojnë të gjithë në Ballkan.

Problemi kryesor i komunitetit maqedonas në Shqipëri, siç u theksua në takimin me Ivanov, është arsimi në gjuhën amtare dhe punësimi. Komuniteti maqedonas mbështet nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërshtetërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, për mbrojtjen reciproke të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Maqedoni.

Gjithashtu, përfaqësuesit e komunitetit maqedonas kërkuan hapjen e një konsullate maqedonase në Korçë.

Top Channel