Nga data 21 tetor, shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të lirohen nga taksat për automjetet. Këtë e deklaroi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili priti në takim përfaqësuesit institucionalë dhe politikë shqiptarë të Luginës.

“Nga 21 tetori i këtij viti do të hiqen plotësisht taksat për veturat, që hyjnë në Kosovë apo dalin. Këto detyrime do t’i ndërmarrë qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithçka që do marrë nga qeveria e Kosovës, ne do t’i realizojmë ato objektiva dhe synime të lidershipit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”.

Kryeministri Thaçi premtoi mbështetje shtetërore për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke theksuar si shumë të rëndësishëm afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, vlerësoi heqjen e taksës, e cila po i mundon prej dy vjetësh qytetarët e Luginës.

“Morëm një mbështetje nga kryeministri i Republikës së Kosovës, nga shteti i Kosovës, se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë vetëm, por natyrisht jemi së bashku me shtetin e Kosovës. Na gëzon pa masë fakti që nga sonte po hiqen taksat nga qeveria e Republikës së Kosovës, sepse kemi qenë të bllokuar deri më tani, sidomos këto dy vitet e fundit, kur lëvizja e lirë ka qenë e mangët”, tha Jonuz Musliu.

Taksat ishin vendosur në fund të vitit 2011, kur me zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë u vunë taksat reciproke në kufi, ku ndër të tjera automjetet që hynin në Kosovë duhet të paguanin për 15 ditë një policë kufitare prej 60 euro. Tarifa do të reduktohej pas disa muajsh.

I pyetur në lidhje me vizitën e kryeministrit serb Daçiç në Kosovë, Thaçi përsëriti qëndrimin e tij se çdo vizitë, që nxit serbët për pjesëmarrje në zgjedhjet e nëntorit, është e pranueshme.

“Gjatë periudhës së fushatës elektorale, unë e mirëpres çdo ftesë të çdo lideri politik kudo që është, qoftë në Prishtinë, Ëashington, Bruksel e vende të tjera perëndimore, apo në Serbi, që inkurajon serbët për të marrë pjesë në zgjedhje”, deklaroi Thaçi.

Top Channel