Babai i Snowden mbërrin në Moskë

10/10/2013 00:00

Babai i ish-kontraktorit të shërbimeve sekrete amerikane Edward Snowden ka mbërritur në Rusi për të takuar të birin. Lon Snowden tha për gazetarët në momentin që mbërriti në Moskë se ndihej “jashtëzakonisht mirënjohës që djali është i lirë dhe i sigurt”.

Me të zbarkuar në aeroportin Sheremetjevo të kryeqytetit rus, Lon Snowden u takua me avokatin e të birit, Anatoly Kucherena. “Jam këtu për të mësuar më shumë për gjendjen e djalit tim. Shpresoj të njihem me rrethanat dhe gjendjen e tij shëndetësore, si dhe për të diskutuar opsionet ligjore”, deklaroi Lon Snowden.

“Nëse mundësia do të më jepet, atëherë shpresoj shumë që të takoj tim bir. Personalisht nuk jam i sigurt nëse ai do të kthehet në SHBA. Gjithësesi, ky vendim i takon atij”, shtoi i ati.

Muaj më parë zoti Snowden vlerësoi të birin për nxjerrjen e së “vërtetës” dhe për sakrificat e tij, si dhe shprehu shqetësimin se Edward nuk do të përballej me një proces të ndershëm nëse kthehej në SHBA.

Edward Snowden fitoi azil në Rusi në muajin gusht pas disa javësh të kaluara në zonën tranzit të aeroportit të Moskës, kur Shtetet e Bashkuara i tërhoqën dokumentet e udhëtimit.

Kontraktori 30-vjeçar denoncoi për mediat programet e përgjimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që pasuan me publikimin e mijëra dokumenteve të shërbimeve sekrete.

Informacioni, i publikuar në gazetat “The Guardian” dhe “Washington Post”, zbuloi mbikëqyrjen e internetit dhe telefonëve nga shërbimet inteligjente amerikane dhe britanike.

Në Shtetet e Bashkuara Snowden përballet me akuzën e vjedhjes së pronës qeveritare, komunikim të paautorizuar të informacioneve të sigurisë kombëtare. Çdo akuzë parashikon maksimumi 10 vjet burg.

Top Channel